Ta bëjmë Shefqet Kastratin President Mbarëkombëtar

Emri më i përshtatshëm për mendësinë e Edi Ramës për postin e Presidentit Mbarëkombëtarë duket të jetë Shefqet Kastrati.  Ai është njeriu që do të na dëmtojë njëjtë si shqiptarëve të Kosovës, po ashtu edhe të Shqipërisë. Pse mos t’i bëjmë presion Edi Ramës që ta emërojë edhe zyrtarisht në këtë pozitë?

Ta bëjmë Shefqet Kastratin President Mbarëkombëtar

Para disa muajsh, Edi Rama kishte vendosur që të kënaqte nacionalistët që ëndërrojnë Bashkimin Kombëtarë. Kishte përzgjedhur parlamentin e Kosovës, në dhjetë vjetorin e pavarësisë, për të lansuar idenë e Presidentit Mbarëkombëtarë. Kishte pohuar më pas se kjo ide nuk mund të realizohet shpejt, por që ia vlen të imagjinohet dhe ëndërrohet për këtë ditë.

Por, faktet e zhvillimeve që ndodhën një muaj e gjysmë pas kësaj deklarate tregojnë që Rama ka ëndërruar diçka tjetër. Derisa vetën e ka imagjinuar si haraç vënës, i është dashur dikush që angazhohet në cilësinë e haraç mbledhësit.

Me gjasë, gjatë tërë kësaj kohe ka imagjinuar se si ta gjejë  haraç mbledhësin të përshtatshëm mbarëkombëtarë. Ka ëndërruar se si bashkë me një oligark të afërt me të, të zhvatë shqiptarët edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.

E ka gjetur atë. Është biznesmeni me prejardhje nga Kukësi. Shefqet Kastrati, pronar i “Kastrati Group”, i cili e ka fituar tenderin e mirëmbajtjes së “Rrugës së Kombit”.

Ai dhe biznesmeni Samir Mane janë dy njerëzit më të pasur në Shqipëri. Por, kësaj radhe duket se për Ramën më i përshtatshëm për këtë punë ka qenë Kastrati.

Tash e tutje, Shefqet Kastrati do të jetë simbol i unitetit në mbledhjen e haraçit si për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Do të vidhemi njësoj nga ai. Me gjasë, lehtësira do të ketë vetëm për qytetarët e Kukësit që demoluan biznesin e haraç mbledhësit mbarëkombëtarë. Ne të tjerët, do të paguajmë nga 10 euro për hyrje e dalje në autostradë.

Lutjet e kosovarëve nuk janë pranuar nga Rama. Nuk mbeti kush as nga qytetarët, opinionistët e politikanët pa kërkuar mëshirë nga Rama. Në vend të saj, kryeministri i Shqipërisë u deklaruar me shpërfillje totale për kërkesën e Kosovës.

“Kush është arsyeja pse duhet të konsultohemi me Kosovën”, deklaroi Rama para gazetarëve.

Kjo pyetje e Ramës thotë shumë. Tregon se sa të kota janë mbledhjet e përbashkët të dy qeverive. Tregon se sa i kotë ishte deklarimi i tij për President Mbarëkombëtarë.

Tregon se Qeveria e Shqipërisë nuk e ka  fare parasysh ndikimin e kosovarëve në të ardhurat e ekonomisë së Shqipërisë. Fakti që turistët më të mëdhenj në Shqipëri janë nga Kosova, për Edi Ramën nuk ka ndonjë vlerë.

Duke marrë për bazë këto shpërfillje, kësaj pyetje absurde të Ramës duhet t’i përgjigjet Qeveria e Kosovës dhe e tërë klasa politike. Duhet dhënë përgjigje me veprime konkrete. Kosova duhet që të marrë vendim për mospjesëmarrje në mbledhje të përbashkëta me Qeverinë e Shqipërisë. Nuk duhet të mbahen mbledhje të përbashkëta me Qeverinë e një shteti që sillet ngjashëm me ne sikurse Maqedonia e Mali i Zi.

Nëse nuk i japim përgjigje të ashpër, atëherë ne do të jemi viktimat që do t’i kontribuojmë në rritjen e pasurisë së Edi Ramës e oligarkut të tij, Shefqet Kastratit.

Ato para nuk nuk do të përdorën vetëm për mirëmbajtjen e autostradës. Ne do të ndikojmë që me paratë tona, oligarku Kastrati të vazhdojë festat e shfrenuara nga luksi. Hiç më larg se vitin e kaluar ndodhi një e tillë. Kur në nëntor të vitit të kaluar oligarku Kastrati martoi djalin, mediat në Shqipëri raportuan për luksin në atë dasmë. Raportuan se vetëm lulet për dasmë që kishin ardhur nga Holanda kishin kushtuar rreth 120 mijë euro.

Tash e tutje, pas aplikimit të taksës rrugore Kastrati do të ketë edhe më shumë para për luksin e tij.

Ai do të pasurohet edhe më shumë me 10 eurot e  njerëzve të varfër nga Kosova, të cilët do të paguajnë haraçin për të kaluar pushimet verore në Shqipëri. Nëse kosovarët do të ishin më të pasur, do të kishin injoruar “Rrugën e Kombit”, për tu dyndur në rivierën turke, spanjolle e në ishujt Maldive. Por, Rama e Kastrati e dinë që kosovarët do të detyrohen të vizitojnë Durrësin.

Derisa në prapaskenë Rama me oligarkun e tij mendojnë kështu, sigurisht që Rama pas heshtjes së skandalit pret ditë më të mira për të folur si nacionalist. Ai sërish do të shfaqet si ideator i Presidentit Mbarëkombëtarë për të fituar simpatinë e kosovarëve. Por, ne nuk duhet të mashtrohemi nga ai. Ai tashmë na ka treguar se si i mendon Kosovën dhe Presidentin Mbarëkombëtarë.

Për mendësinë e Ramës, më i përshtatshmi për këtë pozitë do të ishte Shefqet Kastrati. I mbetet që edhe formalisht ta emërojë në këtë pozitë.