
Në Komunën e Gjilanit, aksioni “Ta pastrojmë Gjilanin”, po vazhdon çdo ditë. Njoftimi i kësaj komune thekson se aksioni është shtrirë nëpër lokalitete të ndryshme në gjithë territorin e saj.
“Aksion i tillë ka vazhduar edhe në fshatin Livoç i Ulët në Komunën e Gjilanit, ku banorët e këtij fshati kanë pastruar rrugët e fshatit, varrezat dhe hapësirat e gjelbëruara”, thuhet në kumtesë.
“Banorët e fshatit Livoç i Ulët, kanë thënë se ky aksion ka nisur me datën 15 shtator dhe çdo ditë vazhdohet me aktivitete në pastrim të hapësirës së fshatit. Ata kanë potencuar se tashmë gjendja ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë dhe gjatë periudhës së vjeshtës, sipas tyre do të vazhdohet me gjelbërimin e zonave të ndryshme publike për të krijuar një ambient më të mirë”, thuhet më tej.