Tahiri akuzon qeverinë se po dështon t’i mirëmbajë rrugët

Tahiri akuzon qeverinë se po dështon t’i mirëmbajë rrugët

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, ka shprehur shqetësimin për pamundësinë e qytetarëve të Kosovës për të votuar, shkaku i rrugëve të pa pastruara, si pasojë e reshjeve të borës.

Tahiri ka thënë se PDK-ja, që nga mëngjesi, kur janë hapur vendvotimet, ka marrë shumë reagime nga ana e qytetarëve, sidomos të atyre që jetojnë në pjesët rurale, të cilët po e kanë të pamundur që të shkojnë në vendvotimet e tyre për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike për të votuar për shkak të rrugëve tërësisht të bllokuara.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për mospastrimin e rrugëve dhe kërkon nga institucioneve tona dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i ndërmarrin të gjitha masat që të mundësohet qarkullimi i qytetarëve. Po ashtu, i bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të sigurohet që çdo qytetari që dëshiron të votojë, t’i mundësohet një gjë e tillë”, ka thënë ai gjatë një konference për medie.

Sipas Tahirit, është tejet e rëndësishme që qytetarët të dalin për të votuar, sepse dita e sotme është manifestim i demokracisë, andaj PDK i fton të gjithë qytetarët që të mos dekurajohen pavarësisht kushteve atmosferike të gjejnë mundësinë për ta ushtruar të drejtën e tyre.

“Edhe një herë, shpresojmë në reagim të menjëhershëm të autoriteteve përgjegjëse, derisa shprehim besimin e plotë që përkundër kushteve atmosferike, sot do të jetë një ditë shumë e mirë për Kosovën. Shqetësimi ynë i dytë është që shumë qytetarë që janë të infektuar me Covid nuk po u mundësohet të votojnë.”, ka përfunduar kandidati për deputet nga PDK-ja./Insajderi.com