
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se çështja e dialogut i takon Qeverisë dhe se tash duhet të merren me sigurimin e vaksinave anti-COVID.
Këto komente, Tahiri i bëri gjatë një konference për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës – në të cilën u caktua 26 Prilli, data ku do të mbahet seanca për vaksinat.
E pikërisht para debatit parlamentar, Tahiri ka kërkuar që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të raportojë para komisionit parlamentar për Shëndetësi.
“Çështja e dialogut tash është çështje e qeverisë. Ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetues për këtë temë dhe kërkesa jonë është që në radhë të parë Qeveria të merret me menaxhimin e pandemisë dhe me çështje që lidhen me sigurimin e vaksinave”, tha Tahiri.
Bashkimi Evropian ka kumtuar të martën se do t’i dhurojnë Kosovës 95 mijë doza vaksinash gjatë periudhës maj-gusht. /Insajderi.com