Tahiri: Grupi menaxhues për Asociacionin u krijua në vitin 2013

Tahiri: Grupi menaxhues për Asociacionin u krijua në vitin 2013

Edita Tahiri ministrja për Dialog e Kosovës ka demantuar lajmet se është formuar grupi menaxhues për Asociacionin dhe se për Asociacionin u diskutua në takimin e zhvilluar dje në Bruksel.

Përmes një komunikate për media, ministrja Tahiri ka thënë se grupi menaxhues për Asociacionin, është krijuar në vitin 2013 sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe sipas saj atë e ka krijuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës.

Sipas Tahirit ky grup është manipuluar nga Qeveria e Serbisë, duke u dërguar në Bruksel në përpjekje për tu takuar me zyrtarë të Bashkimit Evropian.

“Unë për këtë çështje kam biseduar me zyrtarët e BE-së, të cilët në fakt nuk i kanë pranuar në takime, dhe as që i kanë lejuar të hyjnë në ndërtesën e Bashkimit Evropian, sepse BE-ja e ka parasysh që Asociacioni nuk është në agjendë, dhe e ka parasysh që pa u plotësuar kushtet tona nuk mund të zbatohet asnjë veprim për zbatimin e Asociacionit”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri, ka shtuar se grupi menaxhues ende nuk ka marrë mandatin për të filluar punën, pasi sipas saj nuk janë plotësuar kushtet e palës Kosovare që lidhen me kodin telefonik dhe KOSTT-in./Insajderi.com