Tahiri – Haxhiut: Nuk frikësohem nga shantazhet, ‘ish-Vicianum’ duhet të jetë stacion i autobusëve

Tahiri – Haxhiut: Nuk frikësohem nga shantazhet, ‘ish-Vicianum’ duhet të jetë stacion i autobusëve

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka reaguar ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me pronën ish-Vicianum, duke thënë se ajo nuk po ia kthen atë pronë Komunës dhe se “me kërcënime boshe po e mbulon pazotësinë e saj”, transmeton Insajderi.

Tahiri me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se nuk frikësohet dhe as nuk shantazhohet nga askush.

“Të gjitha qeverive dhe të gjithë kryeministrave e ministrave të Drejtësisë u kam kërkuar në emër të Komunës së Vushtrrisë, kthimin e pronës së ish-Vicianum për interes të qytetarëve të Vushtrrisë. Asnjëri nuk e ka kthyer”, ka shkruar ai.

“As Albulena Haxhiu nuk po ja kthen pronën Komunës së Vushtrrisë. Pazotësinë e saj po e mbulon me kërcënime boshe. Nuk frikësohem e nuk shantazhohem, e kam një qytet me vete sepse aty duhet të bëhet Stacioni i Autobusëve dhe pikë!”, ka shkruar Tahiri.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar ngritje të kallëzimit penal ndaj kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, nëse nuk i ndalë punimet në pronën “Hotel Vicianum” kompania së cilës MD-ja ia ka ndërprerë kontratën për shkak se “ishte lidhur me shkelje të rënda ligjore”. /Insajderi.com