Tahiri-Hotit: Dil një ndërrim me policinë dhe inspektoratin, sa nxjerrë vendime pa e pas idenë e terrenit

Tahiri-Hotit: Dil një ndërrim me policinë dhe inspektoratin, sa nxjerrë vendime pa e pas idenë e terrenit

Pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se Policia dhe Inspektorati po shkelin vendimet e Qeverisë duke mos zbatuar masat anti-Covid, ka reaguar drejtori i Inspekcionit në Prishtinë, Adonis Tahiri, njofton Insajderi.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga kryeministri Hoti që të dalë në ndërrim me policinë dhe inspektoratin dhe të shoh punën e tyre dhe të mos flas e nxjerrë vendime pa e pasur idenë e terrenit.

“Hoti: Policia dhe Inspektorati po shkelin vendimet e Qeverisë, nuk po zbatojnë masat anti-Covid.

– Dil një ndërrim me ta, sa qet fall e nxjerr vendime pa e pas idenë e terrenit”, ka shkruar Tahiri.

Hoti: Policia dhe Inspektorati po shkelin vendimet e Qeverisë, nuk po zbatojnë masat anti-Covid.

– Dil një ndërrim me ta, sa qet fall e nxjerr vendime pa e pas idenë e terrenit.

Posted by Adonis Tahiri on Saturday, July 25, 2020

 

Hoti në një konferencë për media pas takimit me Komitetin e Vlerësimit për Pandeminë COVID-19 në Kosovë, ka shprehur pakënaqësi për mosrespektimin e masave dhe për këtë ai ka shprehur vëretje ndaj inspektorëve dhe Policisë së Kosovës.

“Jemi të shqetësuar me mosrespektimin e masave në disa raste dhe mosangazhimin e nevojshëm të inspektoratit dhe policisë. Kemi pasur këto ditë aktivitete sportive. Ka pasur edhe protesta pa lejen e policisë. Personat përgjegjës në zingjirin komandues duhet të marrin përgjegjësi për mosrespektimin e masave. Ndërkohë që po flasim janë rreth 570 pacientë të shtrirë në QKUK dhe Spitalet Rajonale, ndërkohë që ne kemi 700 shtretër në dispozicion”, ka thënë Hoti.

Ai tha se inspektorët dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre. Duke shprehur dhimbje për humbjen e tre personave nga stafi mjekësor, Hoti, po ashtu theksoi se tri instrumente janë të rëndësishme; maska, distanca sociale dhe higjena personale.

“Ju i keni parë rritjen e numrit të rasteve ditëve të fundit. Kemi humbur tre persona nga stafi mjekësor. Vlerësimet e përditshme janë këto, që tri instrumentet e vetme për menaxhim janë mbajtja e detyrueshme e maskës, distancës dhe higjienës personale. Kur të thjeshtësohen të gjitha, dalim tek këto tri masa, që ruajnë jetët deri sa nuk kemi në dispozicion vaksinën. Inspektorati dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre”, tha ai. /Insajderi.com/