Tahiri i AAK-së: Nuk do ta votojmë Osmanin për presidente, e kemi kandidatin tonë

Tahiri i AAK-së: Nuk do ta votojmë Osmanin për presidente, e kemi kandidatin tonë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Besnik Tahiri, është deklaruar për media pas dështimit të votimit për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, njofton Insajderi.

Ai tha se kryeministri Albin Kurti po shfaqë arrogancë me numrat që i ka në Kuvend, duke shtuar se u tentua që ky ligj të kontrabandohet dhe të shpërfaqet me një kulturë të paparë në historinë parlamentare të Kosovës.

Tahiri më tej u shpreh edhe për votimin e presidentit të vendit, për çka tha se nuk do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente dhe nuk do të marrin pjesë në votim, duke shtuar se kjo parti e ka kandidatin e saj për këtë post.

“Vazhdon të kemi qëndrime të qarta për çështje e presidentit. Ne e kemi kandidatin tonë, Ramush Haradinaj. Ne mendojmë që është kandidati më i mirë. Nuk votojmë, nuk marrim pjesë, nuk bëjmë kuorum për zgjedhjen e presidentes”, u shpreh ai.

Tahiri megjithatë shtoi se ishte moment i mirë që deputetë nuk lejuan që Ligji për Zgjedhje nuk kaloi në procedurë të përshpejtuar.

“Ishte një moment i mirë që ky ligj, i cili fatkeqësisht u tentua të kontrabandohet dhe shpërfaqi një kulturë dhe një qasje të paparë ndonjëherë në historinë e Kosovës. AAK-ja kërkon që për tema që lidhen drejtpërdrejtë me tema zgjedhore, me tema që i prekin qytetarët, të ketë një konsultim dhe si të tillë e kundërshtojmë. Sa i përket zgjedhjes së presidentes, ne vazhdojmë t’i kemi qëndrime të njëjta. Kurti po shfaq arrogancë me numra. Le të jemi të qartë për diasporën, AAK-ja mirëpret lehtësirat për çdo vendim të mirë për ta, por jo në këtë mënyrë”, u shpreh Tahiri. /Insajderi.com