Tahiri flet për luftën kundër korrupsionit

Tahiri flet për luftën kundër korrupsionit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka raportuar sot para deputetëve të Kosovës lidhur me punën që ka bërë për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ministri ka bërë të ditur se këtë raportim e ka bërë para Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvend.

“Sot raportova para Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me masat për liberalizimin e vizave, ku i njoftova për agjendën legjislative që ndërlidhet me fuqizimin e sundimit të ligjit si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”ka shkruar Tahiri.

Për të arritur miratimin e këtyre ligjeve, ministri Tahiri ka kërkuar edhe mbështetjen e vetë deputetëve.

” Shpresoj në mbështetjen dhe konstruktivitetin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të shtyjmë përpara politikat legjislative që janë në funksion të zhvillimit të qasjes “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, në mënyrë që të ndërtohet një sistem i fuqishëm institucional, i orientuar drejt rezultateve konkrete në luftën e pa kompromis kundër këtyre dukurive negative” ka përfunduar Tahiri.