Tahiri i PDK-së: Kërkojmë nga Kurti ta shkarkojë menjëherë ministren Gërvalla, Serbia mund t’i përdorë fjalimet e saj në dëm të Kosovës

Tahiri i PDK-së: Kërkojmë nga Kurti ta shkarkojë menjëherë ministren Gërvalla, Serbia mund t’i përdorë fjalimet e saj në dëm të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se PDK kërkon nga kryeministri Kurti, të shkarkojë sa më parë ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ai tha se nëse ministrja e Jashtme vazhdon të ushtrojë detyrën, kjo do të jetë në dëm të Kosovës, pasi që deklaratat e saj “e fyejnë kauzën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, dhe Serbia mund t’i përdorë këto deklarata në favorin e saj.

Ai tha se ministrja Gërvalla flet me narracionin e ndërtuar në Beograd, sa i përket luftës së UÇK-së.

“Edhe sot ishit dëshmitarë të një angazhimit të ministres Schwarz, me denigrimin dhe ofendimin e luftës së UÇK-së, duke fyer edhe sot këtë luftë, viktimat që kanë rënë për lirinë e këtij vendi, viktimat e dhunës, prandaj ne si PDK nuk mund të lejojmë që ministrja e Jashtme të flet me narracionin e pasardhësit të Milosheviqit, Ivica, Daçiq. Kërkojmë nga Qeveria që ta shkarkojë këtë ministre. PDK e merr me shqetësim qëndrimin e kësaj ministre që flet me narracionin që është ndërtuar në Beograd. Ju e patë edhe sot në seancë, ku në mungesë të fakteve, patën fyerje të vazhdueshme nga deputetët e mazhorancës”, tha ai.

“Vazhdimi i punës së saj në ministrinë e Punëve të Jashtme është ofendim i madh për qytetarët e këtij vendi”.

“Nuk mund të jetë në gjendje normale në një vend kur ministrja e Punëve të Jashtme e fyen kauzën e luftës së UÇK-së, prandaj ne i kërkojmë z.Kurti ta shkarkojë sa më shpejt atë pasi që fjalimet e saj mund të bëjnë dëm të madh, e mund të përdoren nga Serbia”, ka thënë më tej Tahiri.

I pyetur nga gazetarët nëse do të organizojnë protesta, në rast se nuk shkarkohet ministrja e jashtme, ai tha se do të përdorin “të gjitha mjetet demokratike që kësaj ministre t’i pamundësohet ushtrimi i detyrës”.

Tahiri më tej tregoi se si erdhi deri te përleshja që ndodhi pranë daljes nga salla e Kuvendit, për çka tha se patën fyerje dhe ofendime të vazhdueshme nga deputetët e pozitës derisa ata po tentonin të lëshonin seancën.

“Fyerjet dhe ofendimet nuk erdhën nga ne por nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët në mënyrë masive na ofendonin dhe përdorin fjalë rrugaqërie, duke sulmuar deputetët tanë të cilët ishin duke dalë nga salla”. /Insajderi.com