Tahiri i PDK-së kërkon nga Kurti të plotësojë etapat e dialogut që i kërkoi në vitin 2018

Tahiri i PDK-së kërkon nga Kurti të plotësojë etapat e dialogut që i kërkoi në vitin 2018

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet t’i japë përgjigje qytetarëve dhe deputetëve se pse tani nuk po i zbaton kërkesat e vitit 2018 të cilat ka kërkuar të plotësohen para se të nisë dialogu me Serbinë, kur në krye të qeverisë ishte Ramush Haradinaj, transmeton Insajderi.

“Javën që e lamë pasë kryeministri [Albin] Kurti ishte për vizitë në Bruksel. Kjo është pritur pasi duket qartë që ka angazhim testues rreth rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi. Ishte vizitë përgatitore për takimet e radhës që do të mbahen në kuadër të dialogut. Prandaj, për shkak të këtij nximi që priroriteti i shtatë i kryeministrit na u bë i pari për një kohë kaq të shkurtër dua t’i shtoj disa çështje që janë themelore për këtë proces që fatkeqësisht kryeministri nuk ka gjetur kohë që të jetë prezent në këtë seancë”, ka thënë Tahiri derisa mori fjalën në këtë seancë.

“Para dy vitesh ju përkujtoj që në këtë foltore kryeministri Kurti ka folur për katër etapa që duhet t’i ketë dialogu. E para ishte kërkesa e tij për shqyrtimin e rezultateve të dialogut aktual. Pse po fillon dialogu pa u shqyrtuar rezultatet e dialogut që ka ecur tash e 10 vjet? Pse po fillon ky proces pa i pa dështimet në këtë proces? Cilat janë marrëveshje janë respektuar nga palët dhe cilat nuk po implementohen tash e 10 vjet?, u shpreh ai.

“Ka kërkuar përcaktimin e synimeve të Kosovës dhe kërkesave të Kosovës ndaj Serbisë. Pse Kurti po hyn në një proces ende pa i përcaktuar kërkesat tona ndaj Serbisë? E treta ishte parimet dhe kushtet e dialogut. Për parimet kemi dëgjuar, por si duket nga kushtet ka hequr dorë. Ne kërkojmë nga Kurti që t’ia bëjë me dije qytetarëve dhe deputetëve t që a qëndrojnë ende kushtet e tij që pa u zbardhur fati i të pagjeturve procesi i dialogut nuk mund të fillojë? E katërta ishte ekipi negociator, strategjia dhe udhëheqësit. Me çfarë ekipi po shkon kryeministri Kurti në Bruksel dhe kush e udhëheq këtë ekip – kryeministri Albin Kurti apo Vjosa Osmani. Këto janë katër etapa që vetë kryeministri Kurti ka kërkuar në vitin 2018 nga kryeministri Ramush Haradinaj që të mos fillojë dialogu pa u përcaktuar këto. Pse po i anashkalon të gjitha këto është mirë që t’iu japë përgjigje qytetarëve dhe deputetëve”, shtoi Tahiri. /Insajderi.com