Tahiri i PDK-së: LVV po e çon vendin në një sistem totalitar

Tahiri i PDK-së: LVV po e çon vendin në një sistem totalitar

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se iniciativa për ndryshimin e ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme, është mënyra më e çuditshme e mundshme për të nisur qeverisjen, duke shtuar se ndonëse nuk i ka as dy javë në pushtet, kryeministri Albin Kurti, nuk zgjedhi as pandeminë e as shëndetësinë që ta ketë primare në iniciativat e saj, por nisi me zgjedhje.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme që ka nisur pas orës 21:30, Tahiri shtoi se e habitë fakti që gruaja e cila pretendon të jetë në krye të shtetit, i përkrahë iniciativat e tilla partiake.

Ai më tej tha se Kurti dhe partia e tij në pozitë, po e bëjnë këtë për ta çuar vendin drejt një sistemi totalitar.

“Kjo realisht është mënyra më e cuditshme e mundshme se si mund të vijë një iniciativë e tillë në këtë periudhë. Ky është një akt i turpshëm dhe një dramë e turpshme që ju sot po e bëni. Iniciativa e parë e kryeministrit që as dy javë nuk i ka, nuk është as për pandeminë, as për shëndetësinë por për zgjedhjet. Ajo që është më e cuditshme është se gruaja që pretendon që nesër të jetë presidente të përkrah një iniciativë të tillë partiake. Në emër të diasporës ju po i bëni këto ndryshime që do të duhej të ndodhnin pas disa muajsh, duke qenë të përfshirë edhe shoqëria civile e avokati i popullit. Në çdo vend demokratik reformat e tilla nisin nga partitë opozitare – gjë që ju po e bëni për ta çuar vendin në një sistem totalitar”. /Insajderi.com