Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se koalicioni qeverisës është i lidhur ngushtë me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ai në një intervistë për Radio Kosova, përmendi faktin se sa i vështirë ishte viti 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.
Tahiri komentoi edhe zgjedhjen e Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Intervista e plotë
Radio Kosova: Z. zv.kryeministër Besnik Tahiri jemi në përmbyllje të këtij viti, me çfarë të arriturash po e përmbyll vitin 2020 Qeveria e Kosovës?
Besnik Tahiri “Viti 2020 pa dyshim që ka qenë një vit shumë i vështirë. Ne në fillim të qershorit e kemi marrë qeverinë në rrethana shumë të vështira në një kohë kur i gjithë vendi ka qenë i mbyllur duke u ballafaquar me pandeminë Covid19, dhe në rrethana tepër të vështira kemi arritur që të hapim në masë të madhe ekonominë e Kosovës. Kemi arritur që të kalojmë ligjin për rimëkëmbje ekonomike dhe të ofrojmë një ndihmë substanciale edhe pse modeste për ekonominë e Kosovës. Në rrafshin e përgjithshëm është munduar që të menaxhohet mirë pandemia nga ministri Armend Zemaj, në veçanti që të forcohet sistemi mjekësor në spitalet rajonale si dhe të ndihmohen qytetarët me pandeminë tanimë edhe përmes ligjit për rimëkëmbje. Në rrafshin e politikës së jashtme Marrëveshja e Uashingtonit, konsiderohet si një marrëveshje e cila i ka sjellë njohje nga Izraeli Kosovës. Një çështje tjetër që mendoj që është tepër e rëndësishme ka të bëjë edhe me menaxhimin në fusha tjera në kohëra të vështira, kjo qeveri do të shihet si një qeveri që ka qenë tepër e kujdesshme në shpenzimin e parasë publike”.
Radio Kosova: Marrëveshjes e arritur në shtator të këtij viti në SHBA, a mund të konsiderohet si një ndër të arriturat kryesore të kësaj Qeverie dhe a pritni që të zbatohet në plotni ajo marrëveshje?
Besnik Tahiri “Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë është një e arritur shumë e madhe shtetërore. Përmenda edhe njohjen nga Izraeli pastaj një sërë projektesh të cilat do ta ndihmojnë infrastrukturën e Kosovës dhe mbi të gjitha e ka në rrafshin politik ku Kosova është barazuar me Serbinë dhe ai takim pa dyshim e ka dinamizuar edhe më shumë dhe e ka shtyrë përpara edhe veprimin e Bashkimit Evropian në raport me dialogun. Pra konsideroj se është një marrëveshje shumë e mirë dhe një ndër të arriturat kryesore të këtij viti. Duhet të presim administratën e presidentin Biden duhet të jemi të kujdesshëm. Por më e rëndësishmja është se presidenti Biden e njeh e ka parë e vizituar Kosovën dhe është një mik i yni i cili duke e njohur realitetin dhe të vërtetën na shërben ne për shkak se e drejta është në anën tonë”.
Radio Kosova: Pandemia Covid19 ka qenë një sfidë e madhe, për tërë botën ashtu edhe për ne. Kohëve të fundit kemi rritje enorme të rasteve me Covid 19, por edhe të vdekjeve. Sa ka arritur qeveria që ta menaxhoi këtë situatë?
Besnik Tahiri “ Në qershor të këtij viti ne kemi marrë Kosovën plotësisht të mbyllur. Strategjia në atë kohë ka qenë rrini në shtëpi, lani duart dhe mbani maska. Ne kemi qenë mes një vendimi shumë të vështirë, a do të hapim ekonominë dhe jetën apo do të vazhdojmë të rrimë të mbyllur dhe të bankrotojmë si shtet. Mes këtyre dy vendimeve kemi themeluar një mekanizëm i cili ka qenë shumë funksional, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe gjithë akterët tjerë. Kemi arritur që në kuadër të gjitha problemeve që i kemi pasur me pandeminë ta ruajmë në masë të madhe ekonominë. Në anën tjetër kemi pasur viktima kemi pasur shumë familjarë tanë që kanë humbur jetën, të cilëve u shprehi ngushëllime. Në anën tjetër po ashtu u bë punë e madhe sidomos në forcimin e sistemit mbrojtës mjekësor në spitalet rajonale”.
Radio Kosova: Përveç të arriturave, natyrisht që Qeveria ka pasur edhe ngecje. Në cilat fusha konsideroni se ka pasur ngecje?
Besnik Tahiri “I gjithë operimi i qeverisë ka qenë shumë i vështirë, ka qenë një proces i administrimit të shtetit dhe jo i krijimit të ndonjë vlere të re, sepse asnjë shtet s’ka mundur të krijoj një vlerë të re dhe në këtë kuptim veprimi ka qenë shumë i cunguar. Mendoj që rendi, ligji dhe siguria ka qenë mirë. Ju e dini edhe veprimet që kanë ndodhur në Karaçevë, ka kaluar pa dhunë pa probleme në këtë fushë. Mirëpo në anën tjetër sfida vazhdojnë të mbesin pandemia dhe ekonomia, këto dyja duhet t’i trajtojmë fuqishëm”.
Radio Kosova: Që nga koha kur z.Hoti mori mandatin e kryeministrit, koalicioni qeverisës i përbërë nga LDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe minoritetet, është përballur me disa vështirësi. Një ndër to është mungesa e kuorumit për vendimmarrje në Kuvend. A tregon kjo brishtësinë e këtij koalicioni?
Besnik Tahiri “ Po tregon që kemi problem me numra kjo qeveri është votuar me 61 deputet dhe fakti që nuk kemi mundur të kalojmë sa duhet ligje dhe nuk kemi mundur t’i mobilizojmë shumicën tonë parlamentare që e kemi, tregon për një vështirësi e kjo ka ardhur për faktin se shumica e deputetëve ose kanë qenë me Covid ose për shkak të mungesës së shumicës, mirëpo tregon për brishtësi”.
Radio Kosova: A mendoni se do ta qoni mandatin deri në fund si koalicion qeverisës?
Besnik Tahiri “ Ky koalicion qeverisës është tash ngushtë i lidhur edhe me temën e presidentit që nënkupton, as kur e kemi themeluar e as tani nuk e kemi një shumicë prej dy të tretave, për të pasur një president duhet pasur një mandat më të gjerë. Shpejtë do të sqarohen këto çështje për shkak se presidenti duhet të zgjedhet në mars, pra deri në mars do të sqarohet se a do të zgjerohet koalicioni apo jo. Ajo që mund të them është se deri tani bashkë kemi punuar mirë”.
Radio Kosova: A është e mundshme edhe përfshirja e PDK-së në koalicion qeverisës, në mënyrë që ky koalicion ta qoi mandatin deri në fund?
Besnik Tahiri “Gjithçka është e lidhur me diskutimin e paketës , do të thotë e një pozicioni politik pak më të gjerë që lidhet edhe me presidentin me kryeministrin edhe me qeverinë. Deri më tani pozicionet nuk janë më të mirat. Në qoftë se e shohim më shumë ka interesim të shkohet në zgjedhje. Kërkesa ime për PDK-në është të ketë reflektim serioz, pragmatik që ta shoh se ku është Kosova sot. Përndryshe gjitha partitë jemi të barabarta për shkak se asnjëra parti nuk ka shumicë te plotë, asnjëra parti nuk ka Grup Parlamentar të vetin për ta quar përpara një kandidat për president”.
Radio Kosova: Arrestimet e ish krerëve të lartë të UÇK-së nga Gjykata Speciale, janë ngjarjet kryesore që karakterizuan këtë vit që po e lëmë pas. Cili është komenti i juaj me këtë rast?
Besnik Tahiri “Gjykata Speciale, tanimë është fakt i pamohueshëm. Ka qenë një gabim i jashtëzakonshëm në atë kohë që as nuk është trajtuar mirë raporti i Dick Marty e as nuk ka pasur një vullnet të themelohet në Kosovë. Po të ishte themeluar në Kosovë dhe të kishte një mandat situata do të ishte ndryshe. Tash 21 vite pas lufte të ballafaqohemi edhe një herë me procese, me të vërtetë është një situatë e pa shpjegueshme. Lufta e UÇK-së ka qenë dhe vazhdon të jetë sinonim i një historie te lavdishme dhe një luftë të drejtë, ata që kanë qenë në atë kohë të gjallë e të ri e që kanë kujtuar e dinë të vërtetën shumë mirë. Mirëpo vetë Gjykata Speciale është një proces tepër serioz. Ekipet duhet të jenë të disiplinuara, nuk ka eksperimentim me këtë temë, por duhet që argumentet ligjore të jenë përmbi retorikat politike sepse me retorika politike nuk fiton asgjë. Aty duhet të ballafaqohemi në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë me Tribunalin”.
Radio Kosova: Menjëherë pas arrestimeve, ka reaguar edhe AAK duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të dialogut me Serbinë. A do të duhej që vërtetë të ndërpritej dialogu, ndonëse tashmë është caktuar edhe një datë e re e takimit të radhës?
Besnik Tahiri “Dialogu është një rrugë një kahëshe për Kosovën, ne duhet të dialogojmë por, për procesin dhe formatin e dialogut duhet të kemi gjithmonë kujdes dhe në veçanti për synimin tonë për një marrëveshje finale. Pa një qëndrim unifikues të faktorit ndërkombëtar, BE-së, Gjermanisë dhe SHBA-ve, është problem që kjo çështje të zgjidhet shpejtë. Në këtë kuptim është shumë me rendësi që në dialog ta kemi parasysh formën, sikurse asnjëherë nuk duhet t’i frikohemi dialogut sepse argumentet janë në anën tonë”.
Radio Kosova: Një çështje tjetër mjaftë e përfolur gjatë vitit 2020 ka qenë edhe ajo e presidentit. AAK-ja tashmë ka nominuar kandidatin e saj, që është z.Haradinaj, por që po duket se nuk do të ketë mbështetje të madhe nga subjektet tjera. A mund ta çojë kjo çështje vendin në zgjedhje të parakohshme?
Besnik Tahiri “Ne qoftë se nuk kemi një zgjedhje për president, vendi shkon në zgjedhje”.
Radio Kosova: A mendoni se zgjedhjet, pa një marrëveshje paraprake, do të jenë zgjidhje për çështjen e Presidentit?
Besnik Tahiri “ Tani duhet një reflektim kryesisht nga PDK për shkak se VV ka kërkuar zgjedhje, nëse duam t’i parandalojmë zgjedhjet, në qoftë se jo zgjedhjet i kemi. A do të jetë zgjidhje, nuk mund të them asgjë, sondazhet pak a shumë dihen, mirëpo se qysh do të shkon nuk e di”.
Radio Kosova: Dhe, për fund zv/ kryeministër, cili do të ishte mesazhi i juaj drejtuar qytetarëve të vendit?
Besnik Tahiri “Është tepër e vështirë në këtë vit të përçohet një mesazh i fuqishëm për shkak se vendi ka qenë në krizë të madhe në ballafaqim me pandeminë. Mesazhi im është, në radhë të parë keni kujdes ruani shëndetin ndaj këtij virusi i cili është një ballafaqim tepër i vështirë për të gjithë. Shpresojmë se viti 2021 do të jetë më i mirë për të gjithë dhe lutem që të gjitha vështirësitë që i kemi edhe si vend edhe si shoqëri t’i kalojmë më shpejte. Urime 2021”.