Tahiri: Koalicioni me LDK-në është afatgjatë

Tahiri: Koalicioni me LDK-në është afatgjatë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme me LDK-në dhe se nuk ka pasur ashpërsim të tyre. Ai ka thënë se do t’i forcojnë këto raporte meqë koalicioni qeverisës është ndërtuar me synim që të jetë afatgjatë, njofton Insajderi.

Tahiri ka thënë se si partner koalicioni japin mendimin e tyre për çështje të rëndësishme, siç është ajo e dialogut, dhe sipas tij një partner i mirë e thotë mendimin me qëllim që të ndihmojë.

Më pas Tahiri ka thënë se “nuk ka asnjë problem me LDK-në, do t’i kultivojmë marrëdhëniet e shkëlqyeshme”.

“Raporti ne mes LDK-së dhe AAK-së, si dy parti të qendrës së djathtë nuk është çështje, ne nuk kemi asnjë problem, ne e kemi shumicën parlamentare, programet dhe qëllimet, qëndrimet, që i vendosim në raport me tema nacionale si dialogu i bëjmë në formën e një partneri, e partneri i mirë është që ta thotë mendimin me shkrim dhe ballafaqon me të në mënyrë që me ndihmua. Pra ne nuk kemi çka me relaksua as me ashpërsua, kemi marrëdhënie pune të shkëlqyeshme të cilat besoj që do t’i kultivojmë për shkak se ky koalicion kur është ndërtua me bazën e një synimi afatgjatë, dashtë Zoti të jetë kështu, nëse jo vazhdojmë tutje”.

Mospajtimet në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës nisën kur shefi i ekzekutivit zhvilloi takim me presidentin e Serbisë ne Bruksel e në të cilin nuk e mori pranë Selim Selimin e AAK-së, ani pse ministri i Drejtësisë ishte pjesë e delegacionit.

Më pas, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj kritikoi Hotin për këtë veprim dhe atë për emërimin e Skënder Hysenit si koordinator për dialog, për të cilin Haradinaj tha se Aleanca nuk ka qenë e njoftuar./Insajderi.com