Tahiri: Marrëveshjet në Uashington duhet të kenë kornizë të qartë politike mes dy shteteve të pavarura

Tahiri: Marrëveshjet në Uashington duhet të kenë kornizë të qartë politike mes dy shteteve të pavarura

Ish-ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka porositur delegacionit kosovar në Uashington që çdo marrëveshje ekonomike që mund të arrihet midis dy vendeve, të jetë me një kornizë të qartë politike në mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane, njofton Insajderi.

Siç thekson ajo, çdo marrëveshje, qoftë ekonomike, e ka peshën politike andaj delegacioni i Kosovës duhet të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Në një intervistë për KosovaPress, Tahiri thotë se thotë se në bisedime nuk mund të ketë vetëm tema ekonomike derisa ekziston problemi politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, që është mosnjohja reciproke.

“Kanë ndodhur tre marrëveshje ekonomike në mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e zotit Grenell, mirëpo nëse shikon dokumentet askund nuk shihet se është marrëveshje ndërshtetërore, tani asnjë marrëveshje që mund të dalë nga Uashingtoni nuk guxon të dalë pa kornizë të qartë politike që është fjala për dy shtete të pavarura dhe sovrane. Porosia ime për delegacionin e Republikës së Kosovës është që marrëveshjet ekonomike që nuk e kanë qartësinë politike të një marrëveshje ndërshtetërore mund të jenë të dëmshme dhe dëmtojnë shtetësinë e Kosovës, sepse kemi të bëjmë me një ndërmjetësim zyrtar amerikan, dhe kemi të bëjmë me marrëveshje që kur dalin nuk quhen vetëm ekonomike, ato e kanë peshën politike e gjeopolitike, andaj tani duhet delegacioni vërtetë të jetë vigjilentë në këto punë dhe të veprojë me Kushtetutën e Kosovës, por Kushtetuta të jetë në marrëveshje, pra marrëdhënie shtetërore në mes dy shteteve”, thotë ajo.

Sipas saj, nëse Serbia synon marrëveshje ekonomike, atëherë duhet të pranojë realitetin e Kosovës.

“Nëse Serbia dëshiron marrëveshje ekonomike sepse përfitimet ekonomike janë për të dyja shtetet, atëherë duhet të jetë e gatshme të pranojë realitetin, përndryshe Kosovës nuk i duhet një marrëveshje ekonomike, sado që mund ta zhvillojë ekonomikisht, nëse e dëmton në planin politik e të shtetësisë, është e dëmshme dhe papranueshme, dhe për këtë delegacioni ynë duhet të jetë i qartë, i prerë, i vendosur, dhe nëse duhet, duhet edhe të ndërpresë bisedimet”, thotë Tahiri.

Tahiri nuk e përjashton mundësinë që në negociata të ketë edhe befasi të pakëndshme për Kosovën, por shton se nëse diçka e tillë ndodh, delegacioni kosovar duhet të dijë të veprojë gjithmonë duke mbrojtur shtetin, sovranitetin dhe integritetin territorial.

Sipas Tahirit, angazhimi amerikan në këtë proces duhet të bëjë Serbinë që të pranojë realitetin për Kosovën. /Insajderi.com