Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka njoftuar se janë konfiskuar një numër i madh i tabelave të taksive ilegale pasi që qindra e mijëra taksi që funksionojnë në Prishtinë, kanë marrë leje nëpër komunat tjera.
Ai thotë se për këto taksi janë vendosur edhe patrulla nëpër stacione për të ndalur veprimtarinë e tyre.
“Janë qindra e mijëra taksi që funksionojnë me leje të komunave të tjera, të komunave përreth dhe që frekuentojnë nëpër Prishtinë, ne me ekipet tona të sektorit të rendit komunal shpeshherë i mbikëqyrim linjat e trafikut urban dhe vendosim patrullat tona nëpër stacionet e trafikut urban. Kësisoj arrijmë që të konfiskojmë një numër të madh të tabelave të këtyre taksive sepse kësisoj i përjashtojmë nga qarkullimi”, thotë Tahiri për EO.
Ai shton se për çdo ndalje të këtyre taksive, do u konfiskohet komplet vetura dhe nuk do iu kthehet deri sa të paguhet gjoba prej 100 eurove.
“Sa herë që ndalohet një taksi ilegal atij i konfiskohen ose tabelat, ose komplet vetura dhe deri në pagesë të gjobës prej 100 eurove ato nuk i kthehen”.
“Ka muaj të tërë që aksioni anti-Covid udhëhiqet nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, dhe ata na ftojnë neve vetëm kur kanë nevojë për staf shtesë e kësisoj ne si inspekcion komunal ju kemi kthyer temave tona lokale, ashtu që të vendosim rend dhe rregull në kryeqytet, dhe sa herë që të ketë kërkesë qoftë nga Policia apo Agjencioni i Veterinës ne do të bashkohemi në atë aksion”, theksoi tutje Tahiri. /Insajderi.com