Ish- shefi i kabinetit të Qeverisë Thaçi, Abelard Tahiri, nuk e kishte dorëzuar armën e zjarrit të personalizuar me të përfunduar mandatin më 2014, ashtu siç deklaroi.
Ai rezulton të ketë qenë i pajisur me armë edhe 7 vjet të tjera, pas përfundimit të detyrës qeveritare, përkundër se ishte aset i Zyrës së kryeministrit.
Në përgjigjen e dhënë nga kjo zyrë, thuhet se arma nga Tahiri është dorëzuar në gusht të vitit 2021.
Madje, dorëzimi nuk ishte bërë me vullnetin e tij, por pas kërkesës së Sekretariatit.
“Armët janë dorëzuar pas kërkesave të Sekretariatit të Zyrës së Kryeministrit. Z. Abelard Tahiri ka dorëzuar armën e tij një muaj pas kërkesës për të bërë një gjë të tillë. Kërkesa i është bërë me 26.07.2021, ndërkaq arma është dorëzuar me 25.08.2021”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit për Shqip.com.
Për këtë, Shqip.com ka provuar të marrë sqarime nga Tahiri, aktualisht shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, por ka refuzuar të jap përgjigje duke kërkuar të telefonohet më vonë, e më pas nuk i është përgjigjur telefonatave.
Shqip.com javë më parë ka raportuar se si Tahiri me para të shtetit kishte blerë armë të personalizuar, në vitin 2011.
Përveç Tahirit, me armë rezultoi të jenë pajisur i gjithë stafi i kabinetit.
Në dokumente figuron edhe ish-shefi i stafit Bekim Çollaku dhe Isni Thaçi. /Insajderi.com