Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka thënë se në Bruksel kanë marrë përkrahje për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, njofton Insajderi.
Derisa sot ishin përballë deputetëve evropianë në Parlamentin Evropian, Tahiri si pjesë e delegacionit të kryeministrit Avdullah Hoti, bëri të ditur se në të gjitha takimet e PE-së u konfirmua mbështetja për liberalizimin e vizave, ndërsa shton se në takim me eurodeputetët ka theksuar se sa më prezente që është Evropa si tërësi në Kosovë e rajon, aq më pak do të kenë ndikim agjendat anti-perëndimore.
Statusi i tij i plotë në Facebook:
Në Parlamentin Evropian në të gjitha takimet, me Presidentin e Parlamentit Evropian, z. Sassoli, në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe në Grupin e Miqësisë për Kosovën u konfirmua mbështetja për liberalizimin e vizave. U tha që mungesa e liberalizimit të vizave e dobëson rolin e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe si ndërmjetësues në dialog. Tani duhet punë aktive në reforma evropiane dhe takime bilaterale me shtetet anëtare për të dëshmuar se Kosova është gati në rrugetimin e saj drejt BE-së.
Në takime me deputetë theksova se njohja nga 5 vendet, investimet programore dhe ato kapitale kanë rëndësi jetike për zhvillimin e vendit tonë. Sa më prezente që është Evropa si tërësi në Kosovë e rajon aq më pak do të kenë ndikim agjendat anti-perendimore. /Insajderi.com