Tahiri: PDK kërkon nga Qeveria e Kosovës të rishqyrtojë vendimin për refuzimin e gazsjellësit amerikan

Tahiri: PDK kërkon nga Qeveria e Kosovës të rishqyrtojë vendimin për refuzimin e gazsjellësit amerikan

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës për rishqyrtimin e vendimit për gazsjellësin që financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell Insajderi.com.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri deklaroi se Kosova po hyn në një krizë energjetike dhe për këtë alternativat janë të rëndësishme.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë për media.

“Një çështje që ne si grup parlamentar i kërkojmë Qeverisë është që ta rishqyrtojë edhe njëherë vendimin për gazsjellësin në Republikën e Kosovës. Vendi ynë po hynë në një situatë dhe në një krizë energjetike ashtu siç po hynë i gjithë rajoni dhe një pjesë e madhe e Evropës, prandaj alternativat janë të rëndësishme aq më shumë për neve që po flasim për një projekt i cili financohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – një grand që kap vlerën prej rreth 200 milionë dollarë”, shtoi ai.

Sipas tij, refuzimi i këtij projekti nga Qeveria e Kosovës, i bën dëm jashtëzakonisht të madh vendit në perspektivën afatgjate dhe në raport me partnerin më të rëndësishëm siç është SHBA-ja.

“Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për këtë projekt mendoj që i bën një dëm jashtëzakonisht të madh vendit në perspektiven tonë afatgjate dhe në raport me partnerin tonë më të rëndësishëm në shtet-ndërtim siç janë SHBA-të. Edhe njëherë po e ritheksojë se i bëjmë thirrje qeverisë që ta rishqyrtojë këtë vendim.

Për çështjen e gazit mendojmë që Kosova nuk e ka luksin që të refuzojë një projekt të tillë – për të realizuar një projekt ne do të duhej që të hynim më kredia me të cilat do t’i ngarkonim gjeneratat e ardhshme teksa në këtë rast po flasim për një grand dhe mbështetje financiare që vjen direkt nga SHBA-të”, tha Tahiri.

Ndryshe, javën e kaluar, Qeveria e Kosovës, është tërhequr nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, të hënën, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se e kishin të pamundur të përfshiheshin në këtë projekt për shkak të mungesës së informatave por edhe problemeve tjera që paraqiste ky projekt./Insajderi.com