Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se do të kërkojë që ta shoh formularin e regjistrimit të tij si deputet për të cilin është raportuar se ka shumë gabime drejtshkrimore.
Tahiri ka thënë se është mbetur i hapur kur e ka parë në media atë formular, njofton Insajderi.
“Sot nuk pata kohë, por desha ta kërkoj formularin origjinal… Sepse isha tepër i habitur me vetën time. Nuk po them që ka ndërhyrje megjithatë do të kërkoj me pa”, tha Tahiri në T7.
Deputeti theksoi se edhe kur ka pranuar pozitën e ministrit e ka bërë një gabim në njoftimin për detyrën e re.
“Edhe në kohën kur e kam marrë postin e ministrit, e lash një shkrim për ta postuar dhe aty pata shkruar do ta mbështes krimin dhe korrupsionin sepse kisha harruar ta shtoj fjalën luftën kundër”, deklaroi ai.
Në media janë publikuar disa formularë të deputeteve e në të cilat “shkronja ë” rezulton të jetë “sherr i madh”. /Insajderi.com