Tahiri për masat e reja anti-COVID: Mos e bankrotoni shtetin

Tahiri për masat e reja anti-COVID: Mos e bankrotoni shtetin

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka dalë kundër masave të reja të mundshme anti-COVID, njofton Insajderi.

Tahiri thotë se Kosova nuk ka nevojë për masa që mbrojnë pushtetin e politikanët, por ka nevojë për masa që e ruajnë qytetarin dhe ekonominë e vendit.

Ai ka kritikuar institucionet përkatëse për mos-konsultimin me komunat, odat ekonomike dhe akterët e tjerë, duke thënë se ky mosbashkëpunim e kthen Kosovën prapa.

“Kosova nuk ka nevojë për masa që mbrojnë pushtetin e politikanët, por ka nevojë për masa që e ruajnë qytetarin dhe ekonominë e vendit. Çdo vendim që nuk konsultohet me komunat, me odat ekonomike dhe akterët tjerë e kthen Kosovën prapa. Shëndeti i qytetarëve ruhet duke resepektuar masat me përpikëri të IKSHP-së dhe me inspektim rigoroz. Mos e bankrotoni shtetin!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Të dielën, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë zhvilluar një takim virtual me kryetarët e komunave të Kosovës, ku janë diskutuar masat e reja anti-COVID që pritet të hynë në fuqi nga e marta e 6 prillit.

Në një njoftim të MAPL-së, Vitia citohet të ketë shtruar nevojën e masave të reja, të cilat ka thënë se do të merren në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante.

“Ai theksoi se duhet mobilizim, koordinim dhe qasje më proaktive në raport me pandeminë për shkak të situatës së krijuar. Ai gjithashtu diskutoi së bashku me kryetarët e komunave nevojën e disa masave të reja të cilat në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante duhet të ndërmerren për të ruajtur shëndetin publik”, citohet të ketë thënë ai. /Insajderi.com