Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Besnik Tahiri, është deklaruar rreth mbajtjes së liturgjisë fetare në Kishën Ortodokse Serbe brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, transmeton Insajderi.
Ai tha se kjo ngjarje nuk duhej lejuar të ndodhte, derisa ka numëruar arsyet pse nuk s’duhet lejuar aktivitetet e tilla.
Tahiri ka kritikuar institucionet e vendit që lejuan mbajtjen e një liturgjie fetare në kishën brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
“Absolutisht nuk u dashtë me u mbajt”, tha ai te ‘DPT te Fidani’ në T7.
“Çka kish ndodh me Kosovën nëse kish ndodh aty një sulm, nëse një guri e kishte gjuajt dikush”, pyeti ai.
Sipas Tahirit, qëllimi i Serbisë është zbatimi i Asociacionit dhe rritja e fuqisë së kishës në Kosovë.
“Nuk është objekt fetar por politik që e ka ndërtuar okupatori me para të Arkanit. Nuk duhet lejuar politizimi”, theksoi Tahiri.
Për herë të parë që nga viti 1998, të enjten është mbajtur liturgji në kishën e ashtuquajtur të “Krishtit Shpëtimtar”. /Insajderi.com