
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha të enjten në seancën e Kuvendit se Qeveria Kurti “po tenton ta kapë shtetin duke amandamentuar ligje me urgjencë dhe pa procedura”, njofton Insajderi.
Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrin Albin Kurti, i cili tha se nuk i nevojiten votat e opozitës.
Sipas tij, kjo është papjekuri politike.
“Ajo që po ndodh tash po edhe më herët me amandamentimin e ligjeve tregon për një logjikë klasike që në emër të ç’kapjes së shtetit të punohet me urgjencë dhe pa procedura. Kryeministri sot tha se nuk më duhet votat e opozitës. Kjo është papjekuria e tij më e madhe politike. Kur po i duhet të shkojë në bisedime me Vuçiq, po kërkon edhe ndihmën tonë. Ndërsa, kur po dëshiron me ‘kap shtetin’, atëherë opozita për të është e panevojshme”, tha Tahiri në seancën e Kuvendit në të cilën po diskutohet për propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe emërimin e Bordit të ri të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare./Insajderi.com