Tahiri: Shqipëria të iniciojë hetim në Këshillin e Evropës për fshehjen e varrezave masive nga ana e Serbisë

Tahiri: Shqipëria të iniciojë hetim në Këshillin e Evropës për fshehjen e varrezave masive nga ana e Serbisë

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, prezantoi një rezolutë përmes të cilës do t’i kërkohet Republikës së Shqipërisë, si vend anëtar i Këshillit të Evropës, të iniciojë një hetim nga ana e këtij mekanizmi lidhur me fshehjen e varrezave masive që po bëhet nga Serbia.

Tahiri tha adresa e mbi 1 mijë e 600 civilëve shqiptarë që ende konsiderohen të zhdukur është ushtria dhe policia e regjimit serb.

Ai u shpreh se përpjekja sistematike e Serbisë për të fshehur krimet e veta ndaj civilëve shqiptarë dhe fshehja e varrezave masive është krim i dyfishtë apo super krim.

“Adresa e kësaj zhdukjeje është ushtria dhe policia e regjimit serb, ata duhet të kërkohen sepse për zhdukjen e tyre qytetarët tanë kanë pasur ndërmarrje masive operacionale që kanë nisur me ndarjen dhe mbajtjen e tyre, me ekzekutimin, transportimin e kufomave dhe në fund me varrosjen në varre masive. Nëse jo për çështje të tjera, së paku për humanizëm do të duhej që Serbia të reflektonte dhe të bashkëpunonte për të identifikuar varrezat masive, por ata nuk e kanë bërë dhe nuk po e bëjnë as pas dy dekadash. Jo vetëm që nuk e kanë bërë bashke kohanikët e Millosheviqit dhe të aparatit të tij, por as pasuesit e tij Tadiqi, Nikoliqi e Vuçiqi. Pra janë ndërruar shtatë kryeministra e tre presidentë që nga ajo periudhë në Serbi dhe të gjithë vazhdojnë t’i fshehin këto krime”, tha ai.

Tahiri në emër të Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar në fund të këtij debati të votohet një rezolutë, përmes të cilës i kërkohet Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i Këshillit të Evropës të iniciojë një hetim nga ana e këtij mekanizmi lidhur me fshehjen e varrezave masive që po bënë Serbia.

Deputeti Tahiri tha se Qeveria e Kosovës me pranimin e 1 mijë e 600 testeve nga Vuçiqi e Daçiqi, sipas tij e kanë nxjerrë fytyrën humaniste të këtyre dy, siç i ka quajtur ai, kriminelëve./Insajderi.com