Drejtori i Inspektoratit në komunën e Prishtnës, Adonis Tahiri, ka deklaruar se inspektorët e kësaj komune nuk e kanë prioritet inspektimin e masave të reja të marra nga Qeveria, transmeton Insajderi.
Sipas tij, ndonëse nuk ka kaluar rreziku, punëtorët komunalë janë anashkaluar dhe nuk u kompenzuan sikurse kategoritë e tjera.
Ai i quajti absurde vendimet e Qeverisë, sikurse asaj të tanishmes edhe Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, për menaxhimin e pandemisë.
“Një absurditet i Qeverisë së kaluar, e po vazhdohet me të njëjtin intensitet edhe nga Qeveria e tashme. Siç e dini aksionet bëhen nga inspektorati lokal, inspektorati qendror dhe Policia e Kosovës, kurse shtesat për rrezikun që e kanë ky staf në raport me zbatimin e masave i kanë marrë Inspektorati qendror, policët, zjarrfikësit dhe mësimdhënësit që nuk kanë të bëjnë fare me mbikëqyrjen e zbatimit të masave, kurse janë përjashtuar punëtorët komunalë të secilës komunë”, tha ai për EO.
“Zbatimin e masave ndaj Covidit do ta trajtojmë varësisht kohës që e kemi, njësoj sikur secilën temë tjetër pa i dhënë fare prioritet për shkak se nuk mund ne ta rrezikojmë stafin tonë çdo ditë e në vazhdimësi, e në anën tjetër të jenë sektor dhe profesione krejt të tjera të cilat paguhen për rrezikshmërinë që e bart Covidi”, është shprehur Tahiri.
Tahiri theksoi që masat që janë marrë nga Qeveria kanë ardhur për faj të politikanëve dhe se numri i të infektuarve është shumëfishuar nga pakujdesia e tyre gjatë fushatës së fundit.
“Masat janë marrë si pasojë e shkeljeve që janë bërë gjatë fushatës dhe për faj të vetë këtyre politikanëve, për shkak se siç e keni parë që nga atëherë e deri tash është shumëfishuar numri i të infektuarve dhe sidomos numri i rasteve që përfundojnë me fatalitet”. /Insajderi.com