Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka takuar sot drejtorin menaxhues të Fondit Pensional të Kursimeve, Ardian Zalli, me të cilin ka diskutuar rreth tërheqjes së 10-përqindëshit nga Trusti, njofton Insajderi.
Në këtë takim, drejtori i Fondit Pensional të Kursimeve ka treguar se aplikimi për tërheqjen e kursimeve do të mund të bëhet vetëm online, në mënyrë që të mos përhapet më shumë pandemia COVID-19, ndërsa tërheqja e këtyre parave mund të bëhet vetëm pasi të hyjë në fuqi Ligji, të nënshkruhet nga Presidenti dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Tahiri ka treguar edhe për procedurën se si mund t’i tërheqin qytetarët kursimet.
“Trusti ka përgatitë një platformë online që po besojmë që të jetë gati brenda dy javëve. Procedura është e thjeshtë. Vendoset numri personal në ueb-faqe dhe numri i xhirollogarisë dhe pastaj verifikohet me Bankën Qendrore të Kosovës dhe paratë e Trustit do të dalin në xhirollogaritë e njerëzve që janë përfitues, rrjedhimisht që aplikojnë dhe për tri ditë u dalin paratë në xhirollogari”, ka thënë Tahiri.
Ai ka bërë me dije se shuma e parave që mund të tërhiqen nga ky fond shkon deri në 200 milionë euro, derisa ka thënë se tërheqja e 10-përqindëshit do të jetë një injeksion i mirë për ekonominë e vendit.
“Rreth 200 milionë mund të tërhiqen nga ky fond, sepse ky fond i ka mbi 2 miliardë. Do të jetë një injeksion i mirë për ekonominë e Kosovës. Ligji ende nuk ka kaluar edhe përderisa nuk kalon ligji dhe të bëhet zyrtar, nuk mund të tërhiqen. E gjithë tërheqja do të bëhet përmes xhirollogarisë bankare dhe aplikimit online”, ka deklaruar Tahiri. /Insajderi.com/