Tahirsylaj: Vera do të jetë më e vonshme, në gusht do të shkojë deri në 35 gradë celsius

Tahirsylaj: Vera do të jetë më e vonshme, në gusht do të shkojë deri në 35 gradë celsius

Moti në këtë fundjavë në Kosovë do të jetë i nxehtë dhe për një javë nuk do të ketë reshje shiu.

Eksperti i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, tha se ndryshimet klimatike në Kosovë janë sikur edhe në vendet e tjera.

“Kjo është një situatë që do të tejkalohet. Por kjo sjell edhe ndryshime te rendimentet, pasi që nuk ka kushte për t’i tharë të mbjellat”, tha Tahirsylaj në televizionin publik.

Sipas tij, këtë vit më së miri ka pasur elemente pozitive te misri.

“Këtë vit misri në Kosovë, është sikur në Kaliforni. Ky vit është i dëmshëm për grurin, për dredhëzën, për mjedrën”, tha ai.

Tahirsylaj thotë se vërshimet mund të kishin pasoja tek Gryka e Kaçanikut etj, por këtë vit fatmirësisht edhe atje nuk kishte pasoja. Ai tha se klima nuk ka atdhe.

“Vera do të jetë më e vonshme. Në gusht do të shkojnë deri në 35 gradë celsius”, tha ai.

Tahirsylaj vlerësoi se edhe degradimi i pyjeve po sjellë pasoja të rënda.

“Në grykën e Deçanit po ashtu edhe në Pejë është situatë e rëndë. Prerja e pyjeve sjell edhe vërshime”, deklaroi ai.