Tahohen Zemaj e Likaj – diskutojnë për fillimin e procesit mësimor

Tahohen Zemaj e Likaj – diskutojnë për fillimin e procesit mësimor

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, me të cilin kanë diskutuar për fillimin e procesit mësimor, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur, në këtë takim është diskutuar për përgatitjen e fillimit të ri shkollor 2020/2021, ku thuhet se të gjitha vendimet do të merren në konsultim midis MASH, MSH dhe IKSHPK, si dhe institucioneve tjera relevante.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i MSH-së, Armend Zemaj, me anë të një shkrimi në profilin e tij në Facebook.

“Prita në takim Ministrin e Arsimit, prof. Dr. Ramë Likaj, që ishte i shoqëruar edhe nga Zëvendësministri, dr. Xhavit Rexhaj, me të cilët diskutuam për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Fillimi i mësimit të organizohen në mënyrën e duhur në këto rrethana të krijuara nga pandemia COVID-19, të gjitha vendimet e nevojshme do të merren në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë, IKShPK-në, Ministrinë e Arsimit dhe institucionet tjera relevante”, shkruan Zemaj.

Ai tutje thotë se do t’i marrin të gjitha masat dhe se po bëjnë përgatitjet që procesi mësimor të nis sipas planit të paraparë.

“Do të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta dhe koordinimin ndërinstitucional. Ne po ndërmarrim të gjitha masat dhe po bëjmë përgatitjet e duhura që procesi mësimor të nis sipas planit të paraparë, duke respektuar masat mbrojtëse kundër virusit dhe të gjitha protokollet e sigurisë së shëndetit”, ka shkruar Zemaj. /Insajderi.com