Takimet gjysmë orëshe të Mogherinit me liderët politik

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, gjatë vizitës së saj në Kosovë, brenda dy orësh, do të takohet veçmas me presidentin, kryeministrin, kryeparlamentarin dhe liderët e partive politike në një seri takimesh që do të nisin në orën 09:00 dhe do të përfundojnë në orën 11:00.

Takimet gjysmë orëshe të Mogherinit me liderët politik

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian vjen sot në Kosovë, pas një vizite jo fort të këndshme në Beogradin zyrtar ku deputetë të partisë radikale nuk e lanë të fliste para deputetëve të tjerë serb, për të takuar zyrtarisht presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin.

Në orën 9, Mogerini nis takimin e parë me presidentin, Hashim Thaçi, teksa 35 minuta më pas, së paku sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e pret përfaqësuesen e lartë të BE-së , në kabinetin e kryeparlamentarit.

Edhe me Veselin takimi do të jetë i shkurtër, për të vazhduar me kryeministrin, Isa Mustafa, me të cilin do të takohet në kabinetin e kryeministrit në orën 10:00.

Pas 30 minutave, Mogherini dhe Mustafa do të dalin në një konferencë për media, për të folur mbi arysen e vizitës së saj, në një periudhë tensionesh në skenën politike, për shkak të kundërshtimit të demarkacionit nga ana e opozitës dhe zhvillimeve të fundit në procesin e dialogut me Serbinë.

Për këto do të diskutohet edhe në takimin e orës 11:00 që Mogherini do ta ketë me përfaqësuesit e partive politike në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë./Insajderi.com