Takimi i radhës midis delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, për dialogun, pritet të mbahet më 28 shtator në Bruksel, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur pas bisedimeve të zhvilluara ndërmjet dy palëve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ku liderët kanë thënë se në kuadër të këtij dialogu janë hapur edhe dy tema: asociacioni i komunave dhe çështja e zgjidhjes së kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se në Bruksel ka marrë pjesë vetëm për drafitimin e një marrëveshjeje finale, e cila sipas tij duhet të përfshijë njohjen reciproke.
“Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, si shtet që jemi të gatshëm të lëvizim përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, tha Hoti.
“Unë me kënaqësi them se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale mes të dy shteteve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për njohjen reciproke”, shtoi ai.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se në kuadër të dialogut tani po trajtohen çështje të vështira dhe palët kishin pikëpamje të ndryshme. Kjo sipas tij, bën që bisedimet të jenë më të komplikuara dhe më të vështira.
“Sidoqoftë, unë nuk jam i pakënaqur me takimin e sotëm”, tha ai.
Vuçiq tha se në takimin e së hënës, ishte pala serbe ajo që hapi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se për këtë temë do të diskutohet edhe në raundin e ri të bisedimeve.
Presidenti serb deklaroi se për temën e “personave të zhvendosur brenda vendit dhe personave të zhdukur” u diskutua mundësia e inspektimit të të gjitha arkivave, në mënyrë që të hetohet vendndodhja e eshtrave të 1,000 shqiptarëve dhe rreth 530 serbëve, të cilët konsiderohen si të zhdukur.
“Ne kemi rënë dakord për një mekanizëm për përcaktimin e regjistrave të personave të zhvendosur dhe personave të zhdukur dhe qasjen në të gjitha arkivat. Prishtina do të miratojë një ligj mbi kthimin e personave të zhvendosur, i cili është një hap i rëndësishëm, megjithëse ne mbetemi të rezervuar për rezultatet në praktikë”, paralajmëroi Presidenti i Serbisë. /Insajderi.com