Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Burime të Shqip.com brenda qeverisë kanë treguar se në këtë takim është tentuar që liderët të pajtohen për mos shkarkimin e saj.
“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Në takimin e thirrur nga Kurti nuk kanë marrë pjesë Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe Kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.
Burime të Shqip.com, brenda Kuvendit të Preshevës kanë treguar se aktualisht është duke u mbajtur seanca për shkarkimin e Sinanit.
“Jemi duke e mbajt seancën, ashtu siç është thirrë për arsyen e njëjtë”, njofton ky burim.
Në arsyetimin për shkarkimin e Sinanit, thuhet “si pasojë e krizës institucionale dhe mosfunksionimit të pushtetit lokal”.
Sinani u zgjodh në krye të Preshevës më 21 maj 2021, si pjesë e Partisë për Veprim Demokratik./Insajderi.com