Takimi që tre liderët e lartë politik Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e" />

Takimi i tre liderëve me Ukë Rugovën – pasqyra e saktë e luftimit të korrupsionit

Takimi i tre liderëve me Ukë Rugovën – pasqyra e saktë e luftimit të korrupsionit

Takimi që tre liderët e lartë politik Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Fatmir Limaj, kishin pasur me të akuzuarin për krim të organizuar Ukë Rugovën, është një pasqyrë e saktë e korrupsionit në Kosovë, ka thënë sot drejtori ekzekutiv i Insajderit, Parim Olluri.

Në emisionin Debat + me Ermal Pandurin, të RTV Dukagjinit, duke folur për Raportin e Progresit, Olluri u shpreh se është normale që ky raport flet me tone negative për luftimin e korrupsionit në Kosovë.

“Normalisht që në raport flitet me tone negative për luftën kundër korrupsionit”, tha drejtori i Gazetës Online Insajderi, teksa përmendi një shembull që është pasqyrë e saktë e korrupsionit në vend.

Olluri përmendi rastin kur Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Fatmir Limaj ishin takuar me të akuzuarin për krim të organizuar, Ukë Rugovën, me synim ta bindnin atë për votën e motrës së tij dhe deputetes Teuta Rugova.

“Treshja Limaj, Veseli e Haradinaj kur kishin nevojë për votën e një deputete e takuan publikisht Ukë Rugovën. Ajo foto është pasqyra e saktë se sa luftohet korrupsioni kur tre udhëheqësit e takojnë një të akuzuar”, u shpreh Olluri.

Raporti i Progresit për Kosovën, i përpiluar nga Komisioni Evropian, thekson se është shqetësues niveli i korrupsionit në Kosovë. /Insajderi.com