“Takimi” Sveçla-Gjuriq – një nga pjesëmarrësit flet për detajet

“Takimi” Sveçla-Gjuriq – një nga pjesëmarrësit flet për detajet

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, i ka quajtur të ekzagjeruar akuzat në adresë të anëtarit të Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla për qëndrimin bashkë në një tavolinë me drejtorin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Takimi” ndodhi gjatë konferencës së CIG të mbajtur në vikendin e kaluar në Tiranë.

Ardian Gjini, i cili ishte bashkëpjesëmarrës në këtë konferencë, se kur kanë marrë ftesë nga CIG, ata nuk e kanë ditur se kush do të jenë përfaqësuesit politik të partive në Ballkan.

Megjithatë u shpreh se kritika ka qenë më shumë te deklarimet e mëhershme të VV-së karshi zyrtarëve serbë, se sa te pjesëmarrja e Sveçlës në tryezë bashkë me Gjuriq në konferencën rajonale.

“Ka qenë temë tejet e ekzagjeruar, e kam pasur një ndjenjë që më tepër ka qenë e fokusuar te Sveçla, i cili ka qenë përfaqësues shumë korrekt i VV-së në takim. Po ka qenë e fokusuar në atë që cilat kanë qenë deklarimet e mëparshme të VV-së, e jo për shkak të pjesëmarrjes së tij”, thotë Gjini.

Nënkryetari i AAK-së nuk e përjashton mundësinë që edhe në të ardhmen të qëndrojë bashkë në një konferencë me zyrtarët e Serbisë.

“Do të ketë kësi lloj takime në të ardhmen. Shoqëria jonë është mësuar me këto lloj takime”.

Tri ditët e fundit shumë akuza janë adresuar në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtarit të saj, Xhelal Sveçla, për qëndrim në një tavolinë me Marko Gjuriq në kuadër të konferencës për bashkëpunim rajonal në Tiranë, ku po merrnin pjesë edhe përfaqësuesit tjerë politikë të vendeve të rajonit.