Kandidatët për kryetar të Komunës së Mitrovicës të mërkurën janë takuar për të pirë kafen e mëngjesit.
Takimi është mbajtur me ftesë të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Agolli.
Ftesës së tij i është përgjigjur përgjigjur pozitivisht kundërkandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza dhe përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare.
Agolli ka thënë se e ka organizuar këtë takim që të japë mesazhin se kandidimi për kryetar komunë në zgjedhjet e 17 tetorit është garë dhe jo luftë.
Por, ndryshe mendon kryetari aktual i Mitrovicës, dhe njëherësh kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të udhëhequr edhe për një mandat me këtë komunë, Agim Bahtiri.
I kontaktuar nga Shqip.com, Bahtiri ka akuzuar kandidatët e partive të tjera se janë bërë bashkë “kundër VV-së dhe pro PDK-së”.
Ai tha se në këtë takim nuk ka arritur të shkojë me kohë pasi e kishte ftuar mbledhjen e Këshillin për Siguri për shkak të situatës në veri.
“Nuk kam arritur të marrë pjesë në takim pasi kisha ftuar mbledhjen e këshillit. Ju e dini situatën në veri, i kam ftuar për të dhënë secili kontributin e tyre”.
Ka theksuar se pas mbledhjes ka shkuar për t’u takuar me kundërkandidatët e tij, por sipas tij, ata tashmë kishin shkuar.
“Është veprim i ultë sepse është dashur të marrin pjesë në mbledhjen e këshillit. Janë bërë bashkë kundër VV-së dhe pro PDK-së”./Insajderi.com