Takohen për kafe kandidatët për kryetar të Mitrovicës, Bahtiri: U bënë bashkë kundër VV-së

Takohen për kafe kandidatët për kryetar të Mitrovicës, Bahtiri: U bënë bashkë kundër VV-së

Kandidatët për kryetar të Komunës së Mitrovicës të mërkurën janë takuar për të pirë kafen e mëngjesit.

Takimi është mbajtur me ftesë të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Agolli.

Ftesës së tij i është përgjigjur përgjigjur pozitivisht kundërkandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza dhe përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare.

Agolli ka thënë se e ka organizuar këtë takim që të japë mesazhin se kandidimi për kryetar komunë në zgjedhjet e 17 tetorit është garë dhe jo luftë.

Por, ndryshe mendon kryetari aktual i Mitrovicës, dhe njëherësh kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të udhëhequr edhe për një mandat me këtë komunë, Agim Bahtiri.

I kontaktuar nga Shqip.com, Bahtiri ka akuzuar kandidatët e partive të tjera se janë bërë bashkë “kundër VV-së dhe pro PDK-së”.

Ai tha se në këtë takim nuk ka arritur të shkojë me kohë pasi e kishte ftuar mbledhjen e Këshillin për Siguri për shkak të situatës në veri.

“Nuk kam arritur të marrë pjesë në takim pasi kisha ftuar mbledhjen e këshillit. Ju e dini situatën në veri, i kam ftuar për të dhënë secili kontributin e tyre”.

“Shpresoj se situata do të jetë e qetë në veri. Në këtë mbledhje të këshillit apeluam te qytetarët të respektojnë ligjet në fuqi dhe të vazhdojnë të jetë të qetë”.

Ka theksuar se pas mbledhjes ka shkuar për t’u takuar me kundërkandidatët e tij, por sipas tij, ata tashmë kishin shkuar.

“Është veprim i ultë sepse është dashur të marrin pjesë në mbledhjen e këshillit. Janë bërë bashkë kundër VV-së dhe pro PDK-së”./Insajderi.com