Pesë euro për çdo kalim në Rrugën e Kombit do të paguajnë kosovarët që nga dita e nesërme. Kështu ka vendosur qeveria e Shqipërisë, përkundër se kjo shumë po cilësohet si tejet e lartë.
Të shtrenjtë për xhepin e kosovarëve këtë tarifë po e cilëson edhe ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Pal Lekaj.
Lekaj në një prononcim për Gazetën Insajderi ka thënë se për datën kur do të fillojë pagesa e kësaj takse, janë njoftuar me vonesë nga institucionet e Shqipërisë.
“Autoritet shqiptare tashmë e kanë bërë të ditur për datën e fillimit të implementimit të vendimit për taksën, informacionet na janë përcjell edhe zyrtarisht, pak sa me vonesë për mendimin tonë, por është në të drejtën e tyre”, ka thënë fillimisht Lekaj.
Qëndrimin e tij se tarifa është e lartë, ministri e ka argumentuar me gjendjen ekonomike në Kosovë.
Lekaj ka bërë të ditur se këtë çështje do ta hapin edhe në mbledhjen e dy qeverive që pritet të mbahet në nëntor.
“Ne s’jemi pajtuar që nga fillimi me çmimin, këtë mospajtim e kemi bazuar në gjendjen ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës dhe kështu vazhdojmë të mendojmë njëjtë se çmimi është i lartë. Sidoqoftë ne do ta ritheksojmë këtë qëndrim edhe ne konferencën e perbashkët të dy qeverive tona, në nëntor kur po parashihet të mbahet dhe do të tentojmë të diskutojme edhe para kësaj kohe me autoritetet atje”, deklaroi Lekaj.
Sipas tij për momentin kjo është ajo çka mund të bëjnë, pasi vendimet i merr qeveria e Shqipërisë.
Për të kundërshtuar vendosjen e kësja takse, nesër banorë te Kukësit do të protestojnë sërish përkundër se atyre iu është liruar çmimi.
Taksa prej 5 eurosh është cilësuar si e shtrenjtë edhe nga kompanitë e ndryshme të bizneseve dhe të udhëtimit, të cilët kanë parlajmëruar edhe shtrejtime të naftës dhe të biletave për udhëtime në Shqipëri. /Insajderi.com