Tavolina 18: Zonja e Parë në drekën zyrtare në New York

Tavolina 18: Zonja e Parë në drekën zyrtare në New York

Zonja e Parë e Kosovës, ka bërë paraqitje të rralla krah bashkëshortit të saj, presidentit Hashim Thaçi, por kur ai u ftua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një pritje nga homologu i tij Donald Trump, Lumnije Thaçi bëri edhe paraqitjen e parë ndërkombëtare në një nivel kaq të lartë.

E përpos që shoqëroi presidentin në pritje të ndryshme sikurse ajo në Shtëpinë e Bardhë, Zonja e Parë bëri një paraqitje pa praninë e presidentit Thaçi.

Ajo mori pjesë si Zonja e Parë në një ngjarje e cila kishte të bënte me modën dhe pak politikën.

Ishte e ulur në tavolinën 18 dhe sipas një njoftimi nga Zyra e Presidencës, ajo ka zhvilluar një takim me shumë homologe të saja, por nuk është saktësuar nëse ka qenë e ulur me to në tavolinë.

Insajderi ka gjetur se ngjarja e njohur si Dreka e Shtatë Zyrtare Vjetore e Zonjave të Para, në të cilën sipas një njoftimi të Zyrës së Presidencës, Zonja e Parë është ftuar nga presidentja dhe themeluesja e patformen globale “Fashion 4 Development” , vendosja e të ftuarve në tavolina bëhet sipas hiearkisë dhe rëndësisë së shteteve.

Zyra e Presidencës nuk e ka saktësuar se me cilat homologe është takuar Zonja e Parë e Kosovës por në vend të kësaj ka treguar se me cilat ka zhvilluar takime.

“Gjatë kësaj ngjarjeje, Zonja e Parë e Kosovës është takuar me homologe nga Mali i Zi, Turqia, Bullgaria, Mauritania, Tuvalu, Ukraina, Kirgistani e kështu më radhë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Por në fotografitë e bashkangjitura në njoftim, Zonja e Parë e Kosovës shihet se me Zonjën e Parë të Turqisë vetëm është takuar, por nuk ka qenë e ulur me të.

Insajderi ka dërguar pyetje tek organizatorët e ngjarjes për të qartësuar sesi është bërë vendosja e Zonjave të Para.

Megjithatë, Zonja e Parë e Kosovës, ka qenë në një audiencë, ku sipas një njoftimi të Presidencës, i janë ndarë çmime grave të cilat kanë kontribuar në fushat e lartpërmendura.

“Në mesin e të dekoruarave janë edhe supermedolja e famshme botërore dhe themeluesja e “Fashion 4 Relief”, Naomi Campbell, modelja dhe aktorja franceze, Farida Khelfa”, thuhet në fund të njoftimit./Insajderi.com