Të bëmat e Sami Lushtakut, udhëheqësit të Vlerave të Luftës në PDK

Të bëmat e Sami Lushtakut, udhëheqësit të Vlerave të Luftës në PDK

Një ish i dënuar, aktualisht i akuzuar për arratisje nga burgu, është emëruar udhëheqës i Departamentit për Vlera të Luftës në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli emëroi sot Sami Lushtakun, ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si udhëheqës të këtij departamenti, raporton Insajderi.

Mirëpo, profili i Sami Lushtakut, anëtarit që PDK-ja e emëroi udhëheqës të Departamentit për Vlera të Luftës nuk është i pastër para Ligjit. Dosja e tij në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë është e gjerë. Dyshohet për korrupsion e arratisje nga burgu.

Momentalisht, ai është nën akuzë nga Prokuroria e Shtetit për arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Më parë, ai kishte qenë protagonist i skandalit të përgjimeve.

Në serinë e katërmbëdhjetë të “Dosjes së Shefave”, dëshmohej tentimi i Lushtakut për t’i bërë një vend të mirë në institucionet shtetërore paraardhësit të tij, Ramadan Gashit.

Lushtaku deri para disa muajsh u përball me drejtësinë në një proces të gjatë gjyqësor nën dyshimet për korrupsion, por në fund doli i pafajshëm.

Një skandal tjetër ku përmendej emri i Lushtakut ishte kërcënimi i kreut të gjykatës së tenderëve, Blerim Dinës, nga dy njerëz – njëri prej tyre Shaban Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut.

Pasi ishte kërcënuar në banesën e tij nga këta dy persona, kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit i kishte rrëfyer rastin në një intervistë me Insajderin. Kishte thënë se Shaban Lushtaku dhe Naim Sallahu, dy njerëzit që e kishin kërcënuar, ia kishin përmendur Sami Lushtakun.

“Ata dojshin me zor me më qu me pi kafe me Sami Lushtakun”, deklaronte Dina.

Të dy të dyshuarit ishin gjykuar dhe ishin shpallur të pafajshëm, ndërkaq Sami Lushtaku nuk kishte qenë pjesë e këtij procesi.