Të dhënat e WikiLeaks: Zbulohen 11 terroristët e Al-Kaidës që ishin në Kosovë (Dokumente)

Të dhënat e WikiLeaks: Zbulohen 11 terroristët e Al-Kaidës që ishin në Kosovë (Dokumente)

11 anëtarë të grupit terrorist Al –Kaida kanë qëndruar në Kosovë brenda periudhave të ndryshme kohore gjatë dekadës së kaluar, para se të përfundonin në kampin e Guantanamos. Të dhënat shokuese zbulohen nga Wikileaks, në të ashtuquajturën “Dosjet e Guantanamos”. Organizata Wikileaks, e cila po e tronditë botën me publikimin e dosjeve sekrete, që nga viti 2006, në këtë dosje përmend edhe Ekrem Avdiun, imamin nga Mitrovica, të arrestuar së voni nga policia e Kosovës. Avdiu portretohet si rekrutues i terroristëve.

Më 24 prill të vitit 2011, Wikileaks ka filluar botimin e 776 dosjeve sekrete nga kampi ushtarak i Guantanamos, dosje të cilat quhen “The Guatanamo Files”. Të dhënat për çdo të paraburgosur vazhdimisht janë publikuar në WikiLeaks, shkruan Gazeta Express.

Memorandumet e shkruara midis viteve 2002 dhe 2008, të gjitha janë shënuar të jenë “memorandume sekrete”.

Secili i burgosur në këto dosje është i identifikuar me emër, nofkë, datë të lindjes, shtetësi, numrin serik të internimit (ISN). Këto lista të gjata të numrave dhe shkronjave, janë përdorur për t’i identifikuar të burgosurit e Guantanamo’s, duke ndihmuar në depersonalizimin e tyre. Në dosjet, të burgosurit janë identifikuar nga kombësia, me gjithsej 47 vende të listuara sipas rendit alfabetik.

Njëmbëdhjetë emrat e përmendur në dosjet “The Guatanamo Files”, janë persona që kishin lidhje me grupin terrorist të atëhershëm Al-Kaida, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte. Secili nga ta, sipas dokumenteve të publikuara, kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta ose indirekte me persona të caktuar nga Kosova. Shumica prej tyre kanë vizituar Kosovën, kanë mbajtur dhe janë trajnuar në kampe të ndryshme në Kosovë. Veprimtaritë e tyre terroriste, jashtë Kosovës, por edhe brenda saj, fillojnë nga 88’ta deri në vitin 2008.

David Michael Hicks – me shtetësi australiane, i arrestuar në vitin 2001, i transferuar nga Guatanamo në Australi

Që nga qershori i vitit 1988, i burgosuri David Michael Hick ka udhëtuar nga Australia në Japoni dy herë, ku punoi edhe si trajner për kalë. Gjatë qëndrimit të tij në Japoni, i burgosuri u njoh me situatën dhe luftën që ndodhte në Kosovë në atë kohë, si dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I burgosuri pretendonte se gjendja e njerëzve në Kosovë i kërkoi atij që ta kërkojë UÇK’në. Në atë kohë, ai udhëtoi për në kampin Burrel dhe më pas në kampin e trajnimit në Kosovë.

(I burgosuri nuk ka dhënë informacione për lokacionet e sakta të kampeve ose çfarë lloj trajnimi po bëhej). Megjithatë, i burgosuri ka përmendur praninë e disa oficerëve shqiptarë ushtarakë dhe personelin gjermanë ushtarakë.

I burgosuri u trajnua për tri vite me UÇK’në dhe u largua më pas pasi përfundoi konflikti në Kosovë. Nga Kosova, ai fluturoi për në Timorin Lindor, në mënyrë që të jetë pjesë e konfliktit atje.

I burgosuri ka pasur përfshirje të drejtpërdrejta me udhëheqësit e Al-Kaidës, duke përfshirë, Osama Bin Ladenin dhe kryesuesin e operacioneve ushtarake Abu Hafs.

Mustafa Ait Idir – me shtetësi boshjake, i arrestuar më 17 janar 2002

I paraburgosuri, Mustafa Ait Idir ishte anëtar i një dege të Shtetit Islamik në Algjeri, por ishte edhe pjesëmarrës në komplotin e Al-Kaidës për të sulmuar ambasadën amerikanë në Sarajevë, në Bosnje dhe Hercegovinë. I paraburgosuri kishte planifikuar të udhëtonte në Afganistan për xhihad, e kjo menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA. Mirëpo, u arrestua para nisjes së tij.

Më 16 gusht të vitit 2002, karabinierët italianë të KFOR’it në Kosovë, ka arritur ta arrestojë Jamel dhe Sarhane Lamrani. Dy vëllezërit që kishin kërcënuar KFOR’in dhe Misionin e OKB’së në Kosovë. Jamel Lamrani ishte i lidhur direkt me të paraburgosurin Mustafa Ait Idir. Sahrane Lamrani kishte deklaruar se ka lidhje me Al-Kaidën, dhe në fund të qershorit të vitit 2005, ai deklaroi se kosovarët-shqiptarët duhet të kryejnë sulme vetëvrasëse kundër UNMIK’ut dhe KFOR’it.

Sami Mohy El Din Muhammed Al Hajj

I paraburgosuri, Sami Mohy El Din Muhammed Al Hajj, ka punuar në redaksinë e Al-Jazeera’s në Doha. Ai u përpoq të udhëtojë në Çeçeni në maj ose në qershor të vitit 2001. Al Hajj shkoi në Turqi për të marrë vizën për Çeçeni, mirëpo nuk e mori.

Media Al-Jazeera, e dërgoi të paraburgosurin për në Kosovë. Muhammed Al Hajj i kaloi dy muaj në Kosovë duke mbuluar ngjarje të asaj kohe për median ku punonte. Më pas, ai u kthye në Doha.

Sabri Muhammad Ibrahim Al Qurashi

I paraburgosuri është vlerësuar se ishte anëtar i Al-Kaidës. Ai u trajnua nga militantët e El-Faruk, kampin e trajnimit të Al-Kaidës. Kjo është identifikuar në dokumentet e Al-Kaidës, ku thuhej se ishte anëtar i lartë i kësaj organizate.

I paraburgosuri e pranoi se kishte lidhje dhe marrëdhënie të ngushta me grupe të shumta ekstremiste që nga fundi i vitit 1990. Nga janari i vitit 2006, thuhet se ka marrë mbështetje financiare nga Grupi “Sayyaf Abu” nga Filipine, me prodhim në Kosovë. Thuhet se në Kosovë ka mbuluar operacionet e indoktrinimit kurse ato salafiste në Etiopi.

Sabir Mahfouz Lahmar – me shtetësi algjeriane, i arrestuar në shtëpinë e tij në Bosnje

I paraburgosuri, Sabir Mahfouz Lahmar, ishte anëtar i lartë i një grupi ekstremist me bazë në Bosnje. Ai u arrestua për përfshirjen e tij në komplotin për sulmin ndaj Ambasadës Amerikane në Sarajevë, Bosnje.

I paraburgosuri ka mbrojtur armiqësitë kundër forcave amerikane dhe të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje. Ai ka lidhje me komplote të shumta terroriste dhe veprimtari kriminale të lidhura, duke përfshirë një sulm me makinë bombë që ndodhi në Mostar.

Rasid al-Sudeiri dhe Saad Abid al-Ubeida, të dy kishin lidhje me të paraburgosurin, kanë vizituar Kosovën dhe Arabinë Saudite disa herë në vitin 2001 dhe 2002 si pjesë e detyrave të tyre. Sipas qeverisë boshnjake, Al-Sudeiri dhe Al-Ubeida kanë pasur kontakte të ngushta me të njohurin si SA-669, i cili montoi bombën makinë në Mostar në vitin 1997.

Bensayah Belkacem  – me shtetësi boshnjak, i arrestuar më 17 janar 2002

I paraburgosuri ishte anëtar i grupit islamik (GIA), degë algjeriane e përfshirë në komplotin e Al-Kaidës për të sulmuar Ambasadën Amerikane në Sarajevë, Bosnje. I paraburgosuri ka kontaktuar nga Bosnja me njërin nga liderët e Al-Kaidës, Zayn Al-Abidin Muhammed Husejn, i njohur si Abu Zubaydah.

I paraburgosuri është identifikuar si një financiar dhe lehtësues i koordinimeve për masat e marra para udhëtimit për Afganistan, për t’iu bashkuar ekstremistëve.

I paraburgosuri ka marrë trajnim të avancuar në një kamp ekstremist të Al-Kaidës në Bosnje. Ai ishte i lidhur me rrjetin e Al-Kaidës (GJSN).

Algjeriani ishte toger i Ibrahim Buisir. Ky i fundit kishte kryer trajnim në Kosovë si pjesë e një dege të grupit të Al-Kaidës në Europë.

Fouzi Khalid Abdullah Al Awda

I paraburgosuri është vlerësuar se ishte një anëtar i Al-Kaidës. Emri i të ndaluarit ishte i përfshirë në dokumentet e anëtarësimit të Al-Kaidës, si dhe u gjet edhe “Bayat” (betimi për besnikëri).

Al Awda është identifikuar të jetë shok i zëdhënësit të një dege të Al-Kaidës me bazë në Londër, Sulejman Abu Ghayth.

I paraburgosuri kishte lidhje me OJQ që ishin të lidhura me ekstremizmin. Ai gjithashtu ka treguar se ka punuar për Bejt El-Zakatit në Kuvajt.  Një vlerësim i inteligjencës ka thënë se në mjediset e Kosovës, Bayk Al-Zakat ka funksionuar nën ombrellën e Komitetit të Përbashkët të Kuvajtit për Ndihmë, një degë ekstremiste e Al-Kaidës.

Wasim

I paraburgosuri vlerësohet se ishte anëtar i mundshëm i Al-Kaidës. I njohur si Wasim, ka një histori të përfshirjes në OJQ të dyshimta. Emri i tij gjithashtu është gjetur në dokumentet e gjetura gjatë bastisjeve në disa seli të Al-Kaidas.

Wasim ishte i angazhuar në misione humanitare në kuadër të Organizatës Humanitare të Al-Kaidës në Wafa të Afganistanit fillimisht, mirëpo ai së bashku me të paraburgosurin me kod 3A-226, thuhet se dolën vullnetarë për të punuar me organizatat humanitare në Kosovë.

Faha Sultan

I paraburgosuri vlerësohet se ishte anëtar i Al-Kaidës, i cili ka shërbyer si oficer i logjistikës në Brigadën e Osama Bin ladenit.

I paraburgosuri thuhet se qëndroi në objektet e Al-Kaidës dhe u trajnua në kampet e Al-Kaidës. Ai ka një histori me xhihadin dhe ka marrë pjesë në shumë operacione në Afganistan dhe Bosnje.

I njohur si “Edu Saad” më 28 nëntor të vitit 2003, kishte lidhje me rekrutuesin kosovar-shqiptar, Ekrem Avdiun. Këto të gjetura u bën nga KFOR’i gjatë një bastisje në rezidencën e ekstremistëve islamikë në Kosovë. Në këtë bastisje u gjet libri i numrave të telefonit të Ekrem Avdiut, ku numri i Edu Saad ishte i shkruar.

Të dhëna për Ekrem Avdiun

Hoxha Ekrem Avdiu, u lind me 18 korrik të vitit 1971 në qytetin e Mitrovicës. Ai jeton dhe vepron në Mitrovicë. Aktualisht shërben si Imam dhe ligjërues në xhaminë e lagjes ‘Tavnik’ dhe është anëtar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës.

Ekrem Avdiu u arrestua më 17 shtator të vitit 2014 dhe u lirua më 25 shtator të po të njëjtit vit.

Më 20 Janar 2017, Gazeta Express ka shkruar për tre imamë kosovarë që po planifikonin të krijonin një bashkësi të re islame në Kosovë, paralel me atë të BIK-ut të Naim Tërrnavës. Imami nga Mitrovica, Ekrem Avdiu, bashkë me dy kolegë tjerë Hoxhë Sadat Rrustemin nga Lipjani dhe Alladin Abazin nga Obiliqi, në qershor të vitit 2011 kishin certifikuar në institucionet kosovare një organizatë që thirreshin si Institut për Kulturë dhe Studime Bashkëkohore – IKSB. E këtë OJQ, të tre këta hoxhallarë, po provonin ta shndërronin në Bashkësi Islame, ku rreth vetes do të merrnin imamët salafi në Kosovë.

Dosjet e gjetura në WikiLeaks thonë se Avdiu ishte i lidhur me përpjekjet e rekrutimit, aktiv në aktivitete ekstremiste në Shqipëri.

Anwar Al Nurr

I paraburgosuri vlerësohet se ishte anëtar i mundshëm i Al-Kaidës. Emri i të ndaluarit u gjet në dokumentet e lidhura me AL-Kaidës, dhe se ai ishte pjesë ë operativit të lartë të kësaj organizate terroriste.

I paraburgosuri ka pranuar se ka punuar me një organizatë bamirëse të quajtur “Al Ighatha Al Khairia”. Ai gjithashtu ka pranuar se ka qenë vullnetar në organizatat humanitare në Kosovë si pjesë e organizatës bamirëse “Al Ighatha Al Khairia”.

Ahmad Zayid Salim Al Zuhayri

I ndaluari ishte anëtar i Al-Kaidës dhe veteran militant, përgjegjës për aktet terroriste në Bosnje dhe Hercegovinë. I paraburgosuri ka marrë pjesë në vrasjen e një qytetari amerikan dhe orkestrimin e makinës-bombë kundër civilëve.

I paraburgosuri ka rekrutuar muhaxhirë. Gjithashtu thuhet se ka ndihmuar në planifikimin e sulmit në Ambasadën Amerikane në Bosnje.

I paraburgosuri ishte i lidhur me elementet ekstremiste në Afganistan (AF) dhe i lidhur me organizata të shumta joqeveritare të lidhura me mbështetjen e terrorizmit.

Një listë e emrave në vitin 1994, ku tregohen edhe pozicionet dhe tregohen detajisht thirrjet e radiolidhjeve të Komitetit të Përbashkët të Arabisë për Ndihmë në Kosovë, emri i të paraburgosurit Ahmad Zayid Salim Al Zuhayri ishte në këtë listë. /GazetaExpress/

pushak