Të enjten, në Shkup do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, përcjell Insajderi.com.
Zëdhënësi i Qevesisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha, bëri të ditur se në këtë mbledhje pritet harmonizimi i disa marrëveshjeve dhe memorandumeve.
Sipas tij marrëveshjet, përkatësisht memorandumet janë nga fusha e infrastrukturës, diasporës, energjetikës, ekonomisë, turizmit, sigurisë, inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik dhe të tjera, raporton Alsat M.
“Mbajtja e seancës së përbashkët me Republikën e Kosovës konfirmon vazhdimësinë e raporteve të mira ndërfqinjësore, duke pasur parasysh se mbledhje të tilla janë mbajtur edhe me vendet e tjera fqinje. Përfitimet nga këto takime janë thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, komunikimi më i mirë i qytetarëve dhe bizneseve nga të dyja palë, projekte me interes të ndërsjellë, bashkëpunim më i mirë ndërkufitar dhe kështu me radhë.
Në mbledhjen e përbashkët qeveritare do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh, përkatësisht memorandume, me të cilat do të thellohet dhe do të përforcohet bashkëpunimi mes dy vendeve”, deklaroi ai./Insajderi.com