“Të ftuarit nga Specialja po intervistohen në dhoma hoteli”

“Të ftuarit nga Specialja po intervistohen në dhoma hoteli”

Avokati, Arianit Koci i cili është avokat i disa prej të ftuarve nga Gjykata Speciale ka njoftuar se njëri nga klientët e tij do të intervistohet si i dyshuar në një dhomë hoteli.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Koci ka thënë se këtë njoftim e ka pranuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, shkruan Gazeta Insajderi.

“E kam pranuar konfirmimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, se njëri prej klientëve të mi, do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit – në hotelin ku do të qëndroj”, ka shkruar Koci.

Për Kocin kjo mënyrë e intervistimit po duket joserioze dhe e padinjitetshme.

“Me kohën që e kanë pasur, buxhetin, dhe infrastrukturën që e kanë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – marrja në pyetje e të dyshuarit në hotel, po e len përshtypjen e joseriozitetit. Poashtu, besoj që po trajtohemi në mënyrë të padinjitetshme”, ka përfunduar Koci.

Së fundi Gjykata Speciale ka dërguar ftesë për Ramush Haradinaj, gjë që ka bërë që Haradinaj të jep dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Së bashku me Haradinaj është ftuar edhe këshilltari i Presidentit, Hashim Thaçi, Bislim Zyrapi, Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi. /Insajderi.com