Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka zhvilluar një përplasje të ashpër virtuale me ambasadorin aktual të Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.
Gjithçka filloi pasi Çitaku shpërndau një lajm për tenistin serb, Novak Gjokov, në mbishkrimin e së cilit shënoi “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se tjerat” — shprehje e njohur nga libri “Ferma e Kafshëve” nga George Orwell.
Çitaku la të kuptohet se Gjokoviq po favorizohet nga organizatorët e turneut, pasi u vendos që të garojë pa qenë i vaksinuar, për dallim nga lojtarët e tjerë. Gjokoviq ende nuk ka njoftuar për statusin e vaksinimit.
Gjuriq i reagoi Çitakut duke thënë se kjo e fundit përdori gjuhë të urrejtjes me motive etnike. Madje, ai shtoi se fjalimi i ish-ambasadores së Kosovës është “çnjerëzor”.
“A po më duket mua, apo ky është një shembull i gjuhës së urrejtës me motive etnike? Natyrisht, se Gjokoviq është serb nga Zveçani dhe mendon ndryshe nga zonja Çitaku. Ky është është fjalim çnjerëzor nga Vlora Çitaku”, ka shkruar Gjuriq.
Polemikën e vazhdoi Çitaku duke thënë se Gjuriq nuk e kupton alegorinë e autorit Orwell dhe po e turpëron veten publikisht.
“Nëse ndonjëherë arrin ta lexosh Orwellin dhe ta kuptoni konceptin e alegorisë, mund të përfundoni duke mos e turpëruar veten kaq publikisht”, ka shkruar Çitaku.
Gjuriq vazhdoi përsëri duke thënë se për Çitakun, edhe vetë është një “kafshë” analfabete.
“Oh, e di që, në librin tuaj, edhe unë jam një “kafshë” analfabete. Por, po sikur të filloni më në fund të përdorni Kushtetutën, Marrëveshjet e Brukselit dhe Uashingtonit, ose të paktën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe t’i zbatoni ato…”, shtoi Gjuriq./Insajderi.com