“Të gjitha qeveritë e pasluftës janë fajtore për gjendjen e Telekomit”

“Të gjitha qeveritë e pasluftës janë fajtore për gjendjen e Telekomit”

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në të cilën kanë folur kryetari, Albin Kurti dhe profesor Ismet Hamiti.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka folur për gjendjen e Telekomit të Kosovës, duke thënë se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e krimit dhe korrupsionit.

“Janë bërë krime e s’janë bërë hetime. Kanë përfituar bizneset e janë dëmtuar qytetarët. Telekomi vazhdimisht është kërcënuar me privatizim”.

Profesori Ismet Hamiti, shpalosi një letër ku me emra dhe mbiemra denoncoi përgjegjësit për dëmet në Telekom.

“Qeveria duhet të krijojë një ekip që Telekomi të shpëtohet. Prokuroria duhet të nisë hetime”, tha ai.

Hamiti gjithashtu dha një mesazh duke thënë se këto kërkesa duhet transmetuar tek dëgjuesit dhe të bëhet publike se Prokuroria e shtetit e ka në dorë ta shpëtoj Telekomin e Kosovës.

“Telekomi është në gjendje të keqe, aq të keqe sa nuk mund t’i mbuloj as shpenzimet e veta rrjedhëse, përkundër faktit që Telekomi i Kosovës sikurse të tjerët në botë janë fitimprurës, unë s’e di as një rast në botë të ketë falimentuar pasi Telekomi si shërbim është shumë fitimprurës”, tha ai.

Ai shtoi se fitimet e saj janë plaçkitur në vazhdimësi dhe s’i ka mbetur asgjë për të kontribuar në buxhetin e shtetit e as të mbulojë shpenzimet.

“Përgjegjës për këtë gjendje janë të gjitha qeveritë e pas luftës përfshirë edhe qeverinë aktuale. Këta kanë vepruar në një vazhdimësi kundër një interesi publik. Ata fillimisht kanë eliminuar kuadrot më të mira të Telekomit” tha ai tutje.

Në këtë konferencë, gjithashtu VV-ja pati kritika edhe për shtyrjen e afatit të aplikimit të kodit shtetëror.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi ka deklaruar se implementimin e kodit telefonik shtetëror 383 për Republikën e Kosovës, e kanë shtyrë deri më 31 tetor për shkak të krizave të vazhdueshme që ka pas Telekomi i Kosovës.