Të gjithë ata që nuk i kanë regjistruar automjetet për shkak të COVID-19, duhet t’i kryejnë detyrimet deri më 17 gusht

Të gjithë ata që nuk i kanë regjistruar automjetet për shkak të COVID-19, duhet t’i kryejnë detyrimet deri më 17 gusht

Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil, ka bërë të ditur për qytetarët se pronarët e autmjeteve të cilët nuk i kanë vazhduar regjistrimet e tyre, apo nuk i kanë regjistruar ato për shkak të gjendjes së krijuar nga Covid-19, duhet të përmbushin këtë detyrim deri më datë 17 gusht të këtij viti.

Në njoftimin e kësaj ministrie në lidhje me këtë çështje, thuhet se deri me këtë datë, vlen polica e sigurimit dhe certifikata mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të mjetit, pavarësisht afatit kohor.

“Pas kësaj date, detyrohen ta dorëzojnë policen e re të sigurimit, që nuk duhet të jetë më e vjetër se pesë (5) ditë nga data e lëshimit dhe certifikatën e re mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të mjetit, që nuk duhet të jetë më e vjetër se tridhjetë (30) ditë nga data e lëshimit. Për zbatimin e këtij afati do të kujdeset Policia e Kosovës”, thuhet tutje në kumtesë.

Po ashtu, njoftohet se të gjitha llojet e regjistrimit të mjeteve mund të bëhen në secilën Qendër për Regjistrimin e Mjeteve të rajonit përkatës, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të pronarit të mjetit. /Insajderi.com/