Të gjithë në pritje të Thaçit – asnjë parti nuk e ka seriozisht punën e zgjedhjeve

Asnjëherë më e lehtë se tani nuk ka qenë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit. Duhen 40 nënshkrime për të thirrur seancë të jashtëzakonshme dhe 81 vota në Kuvend për ta shpërndarë institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit. Por gati dy javë pas dorëheqjes së Ramush Haradianajt nga posti i kryeministrit, asnjëra nga partitë nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të shkuar drejt zgjedhjeve në këtë mënyrë.

Të gjithë në pritje të Thaçit – asnjë parti nuk e ka seriozisht punën e zgjedhjeve

Shkuarjen në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit PDK-ja nuk e ka diskutuar ende e LDK-ja pritet ta diskutojë. Para se të veprojë për shkuarjen në zgjedhje përmes Kuvendit, VV-ja po i pret konsultimet e Thaçit. Në anën tjetër, Nisma dhe PSD-ja po e presin LDK-në, që bashkë me VV-në ta thirrin këtë seancë. Ndërkaq deputetët e AAK-së dhe zyrtarët e AKR-së i kanë shkyçur telefonat, shkruan Insajderi.

Partia Demokratike e Kosovë, nuk ka qëndrim për shkuarjen në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit. Kështu ka deklaruar për Insajderin, deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu.

“Ne nuk kemi pasë takime për ta diskutuar thirrjen e një seance të tillë dhe mbledhjen e nënshkrimeve, nuk kemi ende qëndrim për atë punë. S’i kemi diskutu ende modalitetet tjera”, ka thënë ajo.

E partia opozitare e Albin Kurtit e ka diskutuar këtë rrugë, por po e pret presidentin Hashim Thaçi që t’i kryej konsultat. Nëse ato neglizhohen, VV-ja thotë se do të nis mbledhjen e nënshkrimeve.

“Bisedime kemi pasë, por iniciativë për mbedhje të nënshkrimeve nuk kemi pasë, meqë këtë javë është paralajmëru që presidenti po vazhdon me konsultat. Mbledhja e nënshkrimeve ka qenë si mjet shtesë nëse presidenti vazhdon me i neglizhu këto. Nëse nuk bëhet këtë javë, javën tjetër nisim mbledhjen e nënshkrimeve”, ka thënë zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.

Edhe PSD-ja mendon se Kuvendi duhet të shpërbëhet, por as kjo parti nuk ka bërë ende asgjë për këtë.

Sipas këtij subjekti, ashtu siç kanë vepruar deri tash, VV-ja dhe LDK-ja duhet ta marrin iniciativën për shpërbërjen e Kuvendit.

Deputetja e kësaj partie, Besa Baftiu thotë se LDK-ja prej një viti i ka nënshkrimet e PSD-së për të shkuar në zgjedhje.

“Sidomos dy partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe VV, gjatë dy viteve sa ka zgjatur ky mandat, kanë thirrur vazhdimisht seanca të jashtëzakonshme, edhe për ndonjë çështje shumë shumë të thjeshtë. Në këtë rast, është dashur të thirret seanca dhe kemi mundur ta shpërndajmë Kuvendin. Ne i kemi dorëzu te LDK-ja para një viti për ta larguar këtë qeveri. LDK dhe VV i kanë 40 nënshkrime dhe siç i kanë thirrur dhjetëra seanca të jashtëzakonshme, kanë mundur ta thërrasin edhe një seancë të tillë të jashtëzakonshme. Eshte e rendit që partia më e madhe opozitare ta procedojë këtë punë, t’i marrë nënshkrimet e VV-së. Tonat edhe ashtu i ka”, ka thënë Baftiu.

Se VV-ja dhe LDK-ja duhet ta thirrin një seancë për shpërndarjen e Kuvendit, mendon edhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

“Nuk e kuptoj opozitën që për dy vjet na i ka mbajtë nja 40 seanca të jashtëzakonshme, për dy vjet ka kërku zgjedhje të jashtëzakonshme dhe tash nuk është në gjendje me i mbledhë 40 nënshkrime për seancë që ta shpërndajë Kuvendin. Unë ia jap votën opozitës sapo ta thërret seancën. Janë dy gjëra: ose e thërret kryetari i Kuvendit, ose 40 deputetë”, ka thënë Sherifi, duke theksuar se VV e LDK nuk janë për zgjedhje.

“Më shumë janë tu u lutë këta me i shty zgjedhjet sesa vetë Hashim Thaçi”, ka shtuar ai.

Sherifi tha se po të ishte në vend të opozitës, do ta thirrte seancën për shpërbërjen e Kuvendit sapo të jepte dorëheqje kryeministri.

Ndërkaq Arben Gashi i LDK-së ka thënë se ky subjekt pritet ta diskutojë këtë mënyrë për të shkuar në zgjedhje.

“Ne nënshkrimet i kemi pasë mbledhë më herët për mocionin e mosbesimit, por tash kjo është situatë e re. Pritet të diskutohet. Mendoj se kryetari i Grupit Parlamentar e ka dhënë përgjigjjen”, ka thënë Gashi.

Ai e ka quajtur të paaftë presidentin që sipas tij po e humbë legjitimitetin e vet në këtë proces.

“Mendoj që presidenti ka humbë shumë kohë dhe po e humbë legjitimitetin e vet në këtë proces, sepse nuk po tregohet garantues i vazhdimit demokratik të institucioneve përderisa po kalon java e dytë. Presidenti është duke u treguar i paaftë që ta trajtojë këtë çështje”, ka thënë Gashi.

Këtë çështje, deputetët e AAK-së dhe zyrtarët e AKR-së nuk kanë pasur qasje në telefon që ta komentojnë. Gazeta ka provuar të kontaktojë me zyrtarët e këtyre dy partive, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.

Presidenti Hashim Thaçi, veprimet e të cilit si duket po i presin të gjitha subjektet politike, sot është takuar me kryetaren e Komisionit Qëndror Zgjedhor, Valdete Dakën.

Pas takimit, Thaçi tha se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për konsultime me partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti të ri politik në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm t’i shpalli menjëherë zgjedhjet e reja”, ka thënë ai. /Insajderi.com