Të hënën në Pejë nis vaksinimi i personave mbi 65 vjeç

Të hënën në Pejë nis vaksinimi i personave mbi 65 vjeç

Të hënën në Pejë do të nisë procesi i vaksinimit kundër COVID-19 për personat mbi moshën 65 vjeçare.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Petrit Loci, njoftoi se të premten janë furnizuar me 950 doza të vaksinës.

“Sa i përket qytetit të Pejës ne sot nga mesdita jemi furnizuar me 950 doza vaksine dhe sot nuk kemi pasë mundësi teknike të fillojmë menjëherë me vaksinimin, derisa është planifikuar që nga dita e hënë të rifillojë vaksinimi i popullatës ashtu siç është e përcaktuar në bazë të grupmoshave”, theksoi ai.

Loci, në Info Magazine të Klan Kosovës, tha se nuk do të lejojnë që gjatë vaksinimit të krijohet tollovi siç ndodhi në Sallën “1 Tetori”.

“Në Komunën e Pejës kemi përvojë të mirë sa i përket organizimit deri më tani, por edhe për shkak që numri i vaksinave është i vogël nuk besojmë se do të kemi tollovi të madhe. Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që në qytetin e Pejës të krijohen radhët e gjata siç i kemi parë sot nëpër rrjete sociale dhe media”./Insajderi.com