Të hënën pritet të dalin rezultatet e Testit të Arritshmërisë për mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta, shkruan Insajderi.
Sipas njoftimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nga ky test nxënësit e klasave të nënta me pikët e arritura do të kenë mundësi të orientohen për në shkollat e mesme.
Për shkak të pandemisë në klasa janë lejuar vetëm nga 15 nxënës.
“Rezultatet e Testit të Arritshmërisë pritet të shpallen më 7 qershor”, thuhej në njoftim.
Ndryshe, sipas MASHTI-it, Testi i Arritshmërisë është realizuar ashtu siç është planifikuar.
“Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës dhe nuk është shënuar ndonjë parregullsi e cila do të ndikonte në rezultatet e testit. Ky test është mbajtur në 156 qendra të testimit në gjithë vendin. Organizimi i testit është realizuar sipas kërkesave dhe standardeve më të larta, duke garantuar testim cilësor dhe të besueshëm”, thuhej në njoftim.
Ndërkaq, në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 460 komisionerë dhe afër 2.200 administrues./Insajderi.com