Të hënën pritet të fillojë hapja e varrezës masive në Rashkë

Të hënën pritet të fillojë hapja e varrezës masive në Rashkë

Të hënën e ardhshme pritet të fillojë hapja e varrezës masive në Rashkë, aty ku po dyshohet se gjenden trupa të pajetë të shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Për këtë gjë janë informuar edhe autoritetet kosovare, të cilat do ta bëjnë monitorimin e punimeve.

“Përgatitjet e fundin janë bërë”, është konfirmuar për Insajderi.com, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Vite më parë, në Rashkë të Serbisë ishte gjetur varreza e parë masive e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998/99.

Tani dyshohet se në vendin e njëjtë ekziston edhe varreza e fundit masive, ku mendohet se ekzistojnë mbetjet mortore të 15 deri 17 shqiptarëve të vrarë.

Kjo varrezë pritet të hapet gjatë javës që vjen, dhe për këtë kërkim janë bërë edhe përgatitjet e fundit, ka thënë për gazetën Online Insajderi, Arsim Gerxhaliu, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Gërxhaliu ka pohuar se “tashmë të gjitha proceduar dhe punët logjistike kanë përfunduar”.

“Të gjitha hapat e nevojshëm janë ndërmarrë: gati janë tendat, kontejnerët, rryma, uji dhe të hënën fillon puna sipas të gjitha mundësive”, është shprehur Gerxhaliu.

Autoritetet serbe më në fund kanë pranuar që kjo varrezë potenciale të hapet, dhe gjithashtu për këtë gjë janë njoftuar edhe autoritetet e Kosovës, të cilat do t’i monitorojnë punimet për kërkimin e mbetjeve mortore./Insajderi.com