Pacientët të cilët po trajtohen në Mjekësinë Sportive, pasi që janë prekur nga infeksioni Covid-19, janë duke u bartur në Mjekimin Intensiv Qendror.
Siç bën të ditur për Insajderi.com, zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, e gjithë kjo me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve me shtretër dhe respiratorë në Mjekësinë Sportive.
Fazliu tutje ka shtuar se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ku më datë 05 korrik u tha të fillojë riorganizim të përgjithshëm, SHSKUK ka vendosur që pacientët të cilët janë në njësinë intensive të mjekësisë sportive, të dërgohen në Mjekimin Intensiv Qendror.
“Me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve me shtretër dhe respiratorë tek mjekësia sportive, konform vendimit të Qeverisë së Kosovës, së datës 5 Korrik 2020, i cili parasheh riorganizim të përgjithshëm, Komiteti për menaxhim të situatës me Covid-19, në nivel të ShSKUK-së, ka vendosur që pacientët që janë në njësinë intensive të mjekësisë sportive të dërgohen në Mjekimin Intensiv Qendror, kjo hapësirë ka 27 shtretër”, ka thënë Fazliu.
Ai tutje ka theksuar se edhe pacientët të cilët nuk janë të prekur me Covid-19 dhe po trajtohen në Mjekim Intensiv Qendror do të barten në ish-mjekimin e vjetër intensive, ku deri tani ka qenë njësia koronare.
Pra, sipas Fazliut i gjithë qëllimi i kësaj bartjeje të pacientëve në Mjekimin Intensiv Qendror dhe në ish-mjekimin e vjetër intensiv, po bëhet si shkak i zgjerimit të hapësirës me më shumë vende në Mjekësinë Sportive.
Me rritjen e numri të rasteve pozitive me virusin Corona në vendin tonë, QKUK ka vënë në dispozicion edhe klinika tjera për trajtimin e tyre. /Insajderi.com/