A do të jetë Arbana Xharra kandidate për kryetare të Gjakovës?

A do të jetë Arbana Xharra kandidate për kryetare të Gjakovës?

Arbana Xharra ka mohuar të jetë nominuar si kandidate e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komunën e Gjakovës, pavarësisht raportimeve në media se ish-gazetarja është përzgjedhur nga partia për të kandiduar në zgjedhjet lokale në Gjakovë.

Gjatë ditës së sotme portali Indeksonline raportoi se Xharra është nominuar nga PDK-ja për të kandiduar në zgjedhjet lokale në Gjakovë, që mbahen më 22 tetor të këtij viti.

Po ashtu, siç raportonte ky medium, për nominimin e Xharrës është diskutuar edhe në nivelin qendror të PDK-së.

Por, Xharra e ka demantuar lajmin përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook. Anëtarja e PDK-së ka thënë se “s’ka asnjë vendim” rreth kandidimit të saj për kryetare të Komunës së Gjakovës, raporton Insajderi.

“Ish-kolege gazetare, keni mujte me marre deklarate prej meje, per me vertetu qe kjo informate eshte nje genjeshter e madhe. S’ka asnje vendim per kandidim timin ne Gjakovë”, ka shkruar Xharra në rrjetin social Facebook.

Xharra, e lindur në Gjakovë, shpeshherë ka kritikuar punën e ish-kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lilës.

Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka zyrtarizuar Driton Çaushin si kandidat për kryetar të Gjakovës, asnjëra nga partitë e tjera nuk kanë bërë zyrtare emrat e kandidatëve të tyre për kryetar të kësaj komune. /Insajderi.com